Arkitekturë
Llonçari: Ndërtimet në Kosovë nuk kanë planifikim, shikohet vetëm hapësira e lirë

Planifikimi i hapësirës është thelbi i çdo dizajni të brendshëm por edhe të hapësirave publike.
Një planifikim hapësinor ideal bën një ndryshim të madh në vendin ku jetoni.
Karshi kësaj Kosova nuk po qëndron aq mirë, ndërtimet po bëhen në mënyrë të paplanifikuar.
Profesori i Arkitekturës në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Xhelal Llonçari ka thënë në intervistë për Ndërtimi.info se ndërtimet që po bëhen nuk marrin parasysh karakterin, funksionin apo zgjidhjet urbanistike. E vetmja gjë që shikohet sipas Llonçari është hapësirë e lirë.
“Hapëisra është koncept shumë delikat, shumë i gjërë ndoshta më së miri është ta mos zgjerohemi shumë dhe ta konsiderojmë si hapësirë ekzistenciale që ne shpesh e barazojmë me hapësirë arkitektonike. Kthehm prapë te shoqëria. Analizojeni sot mënyrën e ndërtimit në një far mënyrë nuk ka planifikim por ndërtohet aty ku është zbrazët. Kjo është mënyra më arkaike, mënyra më e thjeshtë e pa menduar me i fut objektet pa marr parasysh karakterit, pa marr parasysh funksionit, pa marr parasysh zgjidhjet urbanistike, por vetëm pse është një hapësirë e lirë”, tha Llonçari.
Arkitektura, urbanizmi sipas profesorit Llonçari është një gjeografi artificiale.
“Ndërtimi në hapësirë është si të thuash një gjeografi artificiale. Çdo njeri që e zgjedh vendbanimi për të jetuar, qysh prej fillimeve të jetës njerëzore gjithmonë kanë qenë disa parametra që i kanë përcaktuar. Prania e ujit, prania e fushave, prania e malit, mundësia e strehimit e tjera, dhe në atë pejzazh natyorë ai ka filluar të ngrit objektet kësisoji e ka plotësuar natyrën dhe ka bërë një gjeografi artificiale. Pra, arkitektura, urbanizmi është një gjeografi artificiale. Që do të thotë e para duhet t’iu përshtatet të gjitha kushteve ambientale që i ofron një truall nëse është përzgjedhur ai për të ngritur një vendbanim. Pastaj vijën të gjitha komponentët tjera, funksionale, sociale, psikologjike gjithsesi”, thekson profesori Llonçari.
