Aktuale
Reshitaj: “Kosova e Re” do të ndërtohet sipas standardeve evropiane

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj bashkë me inspektoratin vizitoi Korporatën Energjetike të Kosovës-Termocentralin Kosova B si dhe shoqërinë aksionare “Kosova Thëngjill”.
Reshitaj në KEK u prit nga drejtori Arben Gjukaj, i cili njoftoi ministren me mbarëvajtjen e punës në këtë termocentral, gjendjen dhe funksionimin e filtrave për kontrollimin dhe reduktimin e ndotjes që vjen nga ky termocentral.
Reshitaj gjatë vizitës kërkoi nga menaxhmenti i KEK-ut që të punojmë më shumë në reduktimin e ndotjes së ajrit, rehabilitimin e filtrave si dhe krijimin e zonave të reja të gjelbërta përreth zonës së termocentraleve në mënyre që të kemi një mjedis dhe ajër më të pastër për qytetaret e Obiliqit, Prishtinës e Fushë-Kosovës.
Jam e lumtur që tani më do të ndërtohet termocentrali i ri “Kosova e Re” sipas standardeve evropiane, me teknologjinë më të re të filtrave për të reduktuar ndotjen e ajrit. Pra të gjithë varësisht nga përgjegjësitë që kemi duhet të kontribuojmë në krijimin e një mjedisi sa më të pastër për të gjithë, u shprehë ndër të tjera Reshitaj.
Pas kësaj ministrja Reshitaj vizitoi edhe shoqërinë aksionare “Kosova Thëngjill” ku u prit nga drejtori z. Hamit Leci, nga i cili u njoftua për procesin e trajtimit dhe distribuimit të thëngjillit. Z. Leci prezantoi idenë dhe gatishmërinë që thëngjilli i KEK-ut të eksportohet në vendet e rajonit si masë preventive për reduktimin e ndotjes së ajrit duke u bazuar në kërkesat për furnizim me thëngjill që vijnë nga Greqia e Maqedonia.
Reshitaj në takim, shprehu përkushtimin e saj në gjetjen e solucioneve për reduktimin e ndotjes së ajrit që vjen nga përdorimi i thëngjillit për ngrohje.
