Trashëgimia
Bllokohet intervenimi emergjent në objektin e “Eminxhikut” në Prishtinë
I ashtuquajturi i “intervenim emergjent” nuk ka përfunduar për gati nëntë muaj. Pos kësaj, ende nuk ka as afat se kur do të finalizohet ndërhyrja në objektin e kompleksit të Eminxhikut, jo larg qendrës së Prishtinës.
Hapësira para ahurit që bën pjesë në kompleksin ku dy objekte shërbejnë si Muze Etnologjik është në kaos. Gjësendet e grumbulluara i bien në sy secilit që kalon në këtë pjesë për të shkuar në Muzeun dhe monumentin më të vizituar të Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Një koritë druri e mbushur me llaç tradicional ka mbetur si dëshmi e tentativës së kompanisë punëkryerëse për ta suvatuar përdhesen nga brenda. E në brendësi hapësirat e suvatuara pos që kanë të çara, llaçi edhe ka rënë e kjo dëshmon joprofesionalizmin. Puna për atë që Ministria e Kulturës e quan “intervenim emergjent” kishte nisur qysh në tetor të vitit që shkoi.
Asokohe ishte bërë mbulimi i kulmit me najlon të zi dhe dyshemeja e qeramikës ishte shtruar me tulla të kuqe. Deri në mars të këtij viti, objekti ka qëndruar në gjendje të tillë. Në muajin e tretë, kompania “Pleqja Construction”, që ka fituar tenderin për intervenim në objektin që mbrohet si aset i trashëgimisë kulturore, kishte vepruar duke bërë ndërrimin e kulmit. E gjendja e tanishme tregon se kanë dështuar për ta realizuar suvatimin me llaç tradicional.
Zyrtarët e Ministrisë së Kulturës nuk kanë pasur shpjegime për këtë gjendje.
You must be logged in to post a comment Login