Featured
“Hotel Jadran“ – ndërtesa emblematike e Mitrovicës
Nëse ju parafytyroni qytetin e Mitrovicës është e pamundur që në kujtesën tuaj të mos t’ju vij në mend ndërtesa e Ish Hotel “Jadran“ si emblemë e këtij qytetit. Kjo simbolikë lidhet me lokacionin në qendër të qytetit atë që lehtë mund të quhet zemra e qytetit, sheshi “Adem Jashari “.
Ky objekt është cilësuar si ndërtesa më e bukur në qytetin e Mitrovicës. Historija e kësaj ndërtese daton nga viti 1928, ku është ndërtuar nga familja e pasur Zharkoviq nga Mitrovica. Në fillim objekti ka shërbyer si hotel ndërsa më vonë si objekt administrativ i N.T. LUX kurse më vonë si biblioteke e qytetit.
Ndërtesën e karakterizon stili secessionist me planimetri në formë të shkronjës “L”. Në fasadë dominon vëllimi qendror i fasadës së ndërtesës , e realizuar në vendtakimin e dy krahëve të ndërtesë, në formë harkore dhe me realizim të kulmit në formë shatori rrethor. Dominimi i hyrjes në kënd të ndërtesës, të potencuar me dy shtylla si dhe me ballkonin harkor në kat, të vetmin në tërë ndërtesën, krahas vendosjes dhe dominimit të objektit në kryqëzimin e rrugëve në qendër të qytetit, ofron përshtypjen e realizimit të suksesshëm të veprës arkitektonike.
Objekti ka karakter publik urban dhe është me etazhitet B+P+.Dominimi i hyrjes në kënd të ndërtesës, është realizuar me dy shtylla si dhe me ballkonin harkor në kat, të vetmin në tërë ndërtesën, krahas vendosjes dhe dominimit të objektit në kryqëzimin e rrugëve në qendër të qytetit, ofron përshtypjen e realizimit të suksesshëm të veprës arkitektonike.
Materialet ndërtimore janë tipike tradicionale gur, tulla të argjilës së pjekur ,prodhim vendor i fabrikës së pronarit të kombinuara me konstruksione të drurit. Dominon mbulesa e kulmit me tjegulla të argjilës së pjekur, ndërsa kulmi i vëllimit harkor dhe disa elemente tjera janë të mbuluar me pllaka të petëzuara të bakrit.
Sot objekti është privatizuar dhe përdhesja e objektit kryen funksion afarist. Objekti gjatë kohës ka pësuar transformime kryesisht në fasadën e përdheses – ndryshimi i numrit dhe formës së hapjeve. Objekti sot është gjendje relativisht të mirë. Deri në ditët e sotme, objekti kryesisht ka ruajtur gjendjen fillestare të ndërtimit dhe kjo veçanërisht shihet mirë në fasadat ballore të objektit.
You must be logged in to post a comment Login