Aktuale
Ministria do të mbledhë banorët e Hades dhe Shipitullës për shpronësimin e tokës me thëngjill
Data 10 gusht do të jetë një datë e rëndësishme për faktin se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të organizojë një dëgjim publik ku do të diskutohet lidhur me shpronësimin e tokave private në fshatrat Hade e Shipitullë të Obiliqit.
Ky reagim i MMPH-së vjen pas lajmit se Kosova shumë shpejt mund të hyjë në krizë për energji elektrike. Kjo do të ndodhë nëse KEK-u nuk do të mund të shfrytëzoj thëngjillin i cili gjendet në këto toka private. Në këtë pjesë të Obiliqit janë edhe 52 hektar tokë ende të pashfrytëzuar, e shfrytëzimi sa më i shpejt i të cilëve do të largonte KEK-un nga kjo krizë për sigurimin e energjisë.
E një problematikë në vete po paraqesin e edhe banorët e këtyre dy fshatrave të cilvt nuk po lejojnë shpronësimin e tokave të tyre me qëllim të kompensimit të përfitimit nga shteti.
Në anën tjetër MMPH-ja në një përgjigje me shkrim të dhënë për Klan Kosova ka thënë:
“Departamenti i Shpronësimit në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me datë 14.07.2017 (e premte) nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK-sh.a) në mënyrë zyrtare përmes shkresës protokoll Nr.3570/17 ka pranuar ‘‘Kërkesën për shpronësim’’ të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i Projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thengjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës(KEK-sh.a), Zona Kadastrale: Hade dhe Shipitullë, Komuna Obiliq”.
Mes të tjerash Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka bërë të ditur se më 17 korrik të vitit të 2016 ky propozim është dorëzuar në Qeveri, dhe ekzekutivi më 21 korrik të vitit të kaluar ka nxjerrë vendimin me të cilin ka aprovuar shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim.
“Procesi i shpronësimit nga moment i paraqitjes së kërkesës për shpronësim dhe deri në nxjerrjen e Vendimit Përfundimtar, mund kryhet brenda periudhës kohore nga 2.5 -3 muaj, ashtu siç është e përcaktuar me Ligjin për Shpronësim”, thuhet në përgjigjet e MMPH-së dhënë Klan Kosovës.
”Mjetet financiare për kompensimin e pronave dhe obligimet tjera janë të siguruara dhe paguhen nga KEK-sh.a, ndërsa shuma e shpronësimit dihet pasi të caktohet vlera e pronave nga Zyra për Vlerësimin e Pronës së Paluajtshme/Ministria e Financave”, theksohet më tej në përgjigje./Ndertimi.info/
You must be logged in to post a comment Login