Featured
Reportazh | Trokitja e historisë mbi kalldrëmin e hequr të Vushtrrisë, që po e duan qytetarët [video]
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2018/01/vushtrri.jpg)
Mund të duket paradoks po ende ka pak shqiptarë që nuk e dinë se cili është qyteti më i vjetër në Kosovë. Dikur Vicianum, nën okuptim i thirrun Vuçitërrn, e sot Vushtrria mban në supe plot shekuj e histori.
Shkëndije Ahmeti
Kalldrëmi të përcjell në disa pjesë të qytetit, që dikur ishte i mbushur me ta. Rruga që të përcjell nga Ura e Gurit në drejtim të Komunës së Vjetër e deri tek Kalaja e Vushtrrisë është e shtruar me kalldrëm. Por, jo të gjitha që i kanë rezistuar kohës.
Pllakat moderne kanë zënë vendin e kalldrëmit edhe në një vend shumë të lashtë. Pranë Kalasë së Vushtrrisë vetëm një shirit është i shtruar me kalldrëm me gjerësi prej një metër e gjysmë.
Ruajtja e identitetit, sipas ciceronit të Trashëgimisë Kulturore në Komunën e Vushtrrisë, Avdi Mehmeti është ruajtur.
“Kalldrëmet janë vendosur në shekullin IX dhe XI, mirëpo rrugët ku zëvendësohet cementi apo asflati i zakonshëm me kalldrëme është fat i mirë që qeverisja komunale e ka ruajtur traditën dhe kalldrëmin në Vushtrri. Mund të themi se një e treta e rrugëve në qytetin e Vushtrrisë është me kalldrëme. Është ruajtur identiteti, lashtësia e vjetër e qytetit…Aty ku vendoset kalldrëmi tregohet se ka një histori apo një lashtësi shumë të vjetër të atij qyteti”, rrëfen ai.
Ndërtimi i sheshit me kalldrëme do ta ruante vlerën dhe traditën e dikurshme e cila do të ishte e vetkuptueshme për vizitorët që Vushtrria është qytet histroik, thotë Mehmeti.
“Me ruajt ndoshta vlerë dhe traditën e dikurshme që me i tregu një vizitori, një delegacioni që është vend i lashtë e me tradita, ndoshta është dashtë të lihet me kalldrëm. Është dasht të lihet që me tregu historinë dhe lashtësinë e qytetit. Mirëpo, institucionet e kanë marrë një vendim ku kanë shtruar sheshin me pllaka edhe një pjesë 1 metër e gjysmë që është afër Kalasë që është një monument i trashëgimsë kulturore që është mjaft i mirë. Një metër e gjysmë është lënë me kalldrëm”, tregoi ai.
Ruajtja e historisë, trashëgimisë kulturore, traditës e edhe hijeshinë që po japin kalldrëmet në Vushtrri, po e duan edhe vetë qytetarët e kësaj ane. Ata s’po e duan asfaltin në vend të kalldërmit.
Dëshira e Behxhet Halilit është që gjitha rrugët të bëhen me kalldrëme ku në në këtë mënyrë të mos të humb vjetërisa dhe historia e qytetit.
“Me zavendësu krejt me kalldrëm rrugët e Vushtrrisë, se është qytet i vjetër nuk ka nevojë me hup trashëgiminë e qytetin më të vjetër në Kosovë, me zëvendësu me asfalt”, tha ai.
E për Rushit Mehmeti, kalldrëmi është edhe më i hjeshëm për syrin. “Ky është me i hjeshëm, më i qëndrueshëm e më i mirë. Asfalti veç është ma rrafsh”.
Që kalldrëmet të mos zëvendësohen me asfalt po lutet edhe ciceroni Mehmeti. Ai madje po beson që institucionet qendrore por edhe ato lokale nuk do bëjnë një gabim të tillë.
“Besoj që institucionet qendrore dhe lokale nuk besoj që e bëjnë një gabim të tillë. Besoj që kalldrëmet duhet me u vendos në ato vende që është hequr kalldrëmi që me tregu se Vushtrria është një vend i lartë, me traditë, i vizitueshëm prej shumë vizitorëve të ndryshëm. Ku tregova se shumë lehtë është për me ardh prej qyteteve tjera për të vizituar monoumentet trashëgimore”, tha Mehmeti.
Përveç se ka humbur kalldrëmi në këtë qytet në masë të madhe, atje ka humbur edhe trokitja e këpucëve në kalldrëm, që s’ndihet në asfalt e pllaka.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)