Connect with us

Aktuale

Fati i Azem Sylës për rastin “Toka” në dorën e KGJK-së

Published

on

Kur kanë kaluar më shumë se një vit qëkur është mbajtur seanca fillestare Azem Syla dhe të akuzuarit e tjerë të rastit të njohur si “Toka”, së bashku me avokatët e tyre u paraqitën sot në Gjykatë, megjithatë kjo nuk ishte e mjaftueshme që të mbahej gjykimi.

Kjo pasi që trupi gjykues nuk ishte i plotë, pasi përveç dy  gjyqtarëve të EULEX-it që ishin të pranishëm, mungoi anëtarja vendore e kjo arsye rrezikon të bëhet shkaku që ky rast të zvarritet edhe më tej pasi që seanca u shty në kohë të paktën deri javën tjetër.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla në prill të viti 2016 ishte kthyer nga Shqipëria dhe ishte dorëzuar në Policinë e Kosovës, pasi që kjo e fundit në një aksion të gjerë i kishte bastisur shtëpinë.

Dy muaj më pas, mes muajve qershor dhe korrik të vitit 2016, si pjesë e hetimit të këtij rasti ishin mbajtur 20 seanca të mundësisë se veçantë hetuese ku ishin dëgjuar dy dëshmitarë të mbrojtur të thirrur nga prokuroria.

Seancat e mundësisë së veçantë hetuese janë seanca që mbahen gjatë fazës së hetimeve, para ngritjes se aktakuzës,  ku sipas  Kodit të Procedurës Penale të Kosovës  parashihet  që dëshmitarët mund të dëgjohen nga një panel prej 3 gjykatësish , prokurori, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.

Këtë mundësi Kodi i Procedurës Penale të Kosovës e parasheh në rastet kur ka rrezik që dhënia e dëshmisë së këtyre dëshmitarëve të jetë dukshëm e vështirësuar apo e pamundur në fazat e mëvonshme të procedurës.

Pikërisht kjo mundësi ishte shfrytëzuar dhe dy dëshmitarë të mbrojtur kishin dhënë dëshminë e tyre dhe deri në këtë fazë gjithë procesi megjithëse dukej se po shkonte ngadalë,  ishte në rregull.

Mirëpo, kjo rregullsi e procesit duket se tanimë më është vënë në pikëpyetje.

Kodi i Procedurës Penale të Kosovës parasheh që të paktën njëri nga gjykatësit që merr pjesë në panelin e mundësisë së veçantë hetuese, të jetë në përbërje të trupit gjykues që do të gjykoj çështjen në shqyrtim kryesor nëse rasti mbërrin deri në atë fazë.

Gjykatësja e vetme vendore që kishte marrë pjesë në seancat e mundësisë së veçantë hetuese, Nora Bllaca, në ndërkohë  ishte avancuar duke kaluar në Gjykatën e Apelit ndërsa dy gjyqtarët e EULEX-it  po ashtu tanimë nuk janë pjesë e këtij rasti dhe janë zëvendësuar me dy të rijnë.

Kërkesë që Shkaktoi Pështjellimin

Për të përmbushur kriterin e kërkuar nga Kodi i Procedurës Penale të Kosovës që një gjykatës që ka qenë pjesë e panelit të mundësisë së veçantë hetuese të jetë edhe në përbërjen e trupit gjykues në shqyrtim kryesor, kryetari i tanishëm i trupit gjykues, Arcadius Sedek i ishte drejtuar Gjykatës së Apelit duke kërkuar  që gjykatësja Bllaca të jetë pjesë e trupi gjykues.

Kjo kërkesë fillimisht ishte pranuar nga zëvendës kryetari i Gjykatës së Apelit, Hashim Çollaku por kjo kishte ndodhur në kohën sa kishte qenë në pushim kryetari i Gjykatës, Hasan Shala i cili me tu kthyer kishte marrë një vendim tjetër nga vartësi i tij.

Në një intervistë për KALLXO.com, Shala tha se ka ndryshuar kërkesën e zëvendësit të tij, pasi që kërkesa e EULEX-it ishte adresuar gabimisht.

“Vetëm Këshilli Gjyqësor i  Kosovës është kompetent për të deleguar një gjyqtare nga Gjykata e Apelit në gjykatë më të ulët. Kërkesa e EULEX-it ishte adresuar gabimisht dhe për këtë arsye ne i kemi udhëzuar ata që kërkesën ta dërgojnë në KGjK”, tha Shala për KALLXO.com.

Kryetari i trupit gjykues, Arcadius Sedek gjersa arsyetoi shtyrjen e seancës tha se kishte kërkuar një përgjigje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe se ende nuk kishte pranuar përgjigje.

Sedek, gjithashtu njoftoi se nga përgjigja e KGjK-së do të varet edhe procedimi i rastit pasi që në rast se KGjK- miraton kërkesën e EULEX-it, seancat mund të mbahen javën tjetër, ndërsa nëse përgjigja është negative, atëherë duhet të ri-dëgjohen dëshmitarët e mbrojtur.

KALLXO.com, ka provuar që lidhur me këtë çështje të kontaktoj edhe me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi lidhur me atë se kur mund të pritet një vendim i KGjK-së lidhur me këtë rast por e ka pasur të pamundur të vë kontakt.

Lidhur me këtë çështje që rrezikon të shtyjë rastin Syla, KALLXO.com kontaktoi edhe me ish-avokatin e Sylës në kohën kur ishin zhvilluar seancat e mundësisë së veçantë hetuese, Tomë Gashi.

Gashi tha se Kodi i Procedurës Penale është i qartë në këtë drejtim dhe parasheh që në rastet kur është zhvilluar mundësia e veçantë hetuese,  duhet që njëri nga anëtarët e atij paneli të jetë pjesë e trupit gjykues në shqyrtim gjyqësor, ndërsa gjithashtu tha se nuk është e palejuar që një gjykatëse e Apelit, të jetë pjesë e një trupi gjykues në Themelore.

“Kjo nuk është një praktikë e ndaluar pasi që sipas parimit që nëse ka të drejtë për më shumë lejohet edhe më pak, një gjykatëse e Apelit mund të jetë edhe në një çështje të Themelores. Unë vetë si avokat kam përfaqësuar në raste kur ka ndodhur një praktikë e tillë në të kaluarën”, tha Gashi.

Syla aktualisht është në paraburgim dhe disa herë mbrojtësi i tij aktual, Besnik Berisha ka ngritur çështjen se shkeljes së të drejtave të njeriut, klientit të tij për kohëzgjatjen e paraburgimit.

Seanca fillestare lidhur me këtë rast ishte mbajtur më 15 dhjetor 2016 ku Syla dhe të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm, ndërsa që nga ajo kohë ende nuk është arritur të kalohet në shqyrtim gjyqësor kryesor.

Syla pjesën më të madhe të kësaj periudhe e ka kaluar në masën e paraburgimit.

Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti  dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending