Ndërtim
Mabetex në garë për ndërtimin e spitalit 22 milionësh
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2018/01/packi.jpg)
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli të shtunën udhëtoi për në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Siç njoftoi vet ministri Pacolli temë diskutimi me drejtuesit e shtetit federal do të jetë Samiti i INTERPOL-it, nismat për marrëveshjet bilaterale, bashkëpunimi ekonomik, si dhe hapja e Ambasadës së Kosovës në Abu Dhabi.
Por kjo vizitë e Pacollit po del se është edhe e karakterit biznesor.
Gazeta Fjala mëson së kompania “Mabetex”, pronë e Pacollit, është në mesin e tri kompanive të kualifikuara për ndërtimin e një spitali në hapësirat e QKUK-së, donacion i mëhershëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, në vlerë prej 22 milionë euro.
Bëhet fjalë për ndërtimin e Spitalit Pediatrik-Kirurgjik, në hapësirat e QKUK-së, për të cilin e kishin vënë gurë themelin në mars të vitit 2016 ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Maitha Al Shamsi, ministre e shtetit e Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Mabetex është në mesin e tri kompanive të kualifikuara për ndërtimin e këtij spitali. Por gjasat i ka të vogla që të fitoj”, kanë thënë burime të sigurta për gazetën, derisa kanë shtuar së vizita e Pacollit si ministër i Jashtëm në Emirate lidhet direkt me negociatat për këtë projekt.
Ndërkohë vizitën në Emiratet e Bashkuara Arabe, Pacolli e kishte bërë të njohur për publikun dje përmes një postimi në facebook.
“Sot u nisa për një vizitë njëditore në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të takoj homologun tim dhe personalitetet tjera shtetërore. Pos tjerash, temat e diskutimi do të janë, Samiti i INTERPOL-it, Nismat për marrëveshjet bilaterale, Bashkëpunimi ekonomik, hapja e Ambasadës së Kosovës në Abu Dhabi etj…”, ka shkruar Pacolli.
Ndryshe njoftimin për ndërtimin këtij spitali në hapësirat e QKUK-së, donacion prej 22 milionë eurove nga Emiratet e Bashkuara Arabe, e kishte dhënë Zyra e Presidentes së Kosovës me 22 mars 2016, që udhëhiqej nga ish-Presidentja Atifete Jahjaga.
“Spitali i ri është një donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe, në vlerë prej 22 milionë euro. Marrëveshja për ndërtimin e tij është nënshkruar në prill të vitit të kaluar, gjatë një vizite të Presidentes Jahjaga në Abu Dhabi. Vënia e gurthemelit do të ndodhë në orën 10:00, në afërsi të Transfuzionit të Gjakut në QKUK”, thuhej në njoftimin e Presidencës
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)