Infrastrukturë
Beton fleksibil që nuk çahet as nga ngarkesa jashtë standardit
Shkencëtarët nga NTU-JTC Qendra për Inovacionin e Infrastrukturës Industriale (IJC) në Singapor, kanë shpikur një lloj të ri të betonit të quajtur ConFlexPave që është i lakueshëm dhe më i fortë se betoni i rregullt i rëndë, i brishtë dhe i thyeshëm kur i ekspozohet tensionit.
Ky inovacion lejon krijimin e pllakave të trotuareve për instalim të shpejtë, duke e përgjysmuar kështu kohën e nevojshme për punimet në rrugë dhe trotuaret e reja. Është gjithashtu më i qëndrueshëm dhe kërkon më pak mirëmbajtje.
“Ne kemi zhvilluar një lloj të ri të betonit që mund të zvogëlojë në masë të madhe trashësinë dhe peshën e pllakave të trotuarit, duke mundësuar kështu instalimin e shpejtë, duke zëvendësuar me lehtësi ato të vjetruarat”, tha profesori Chu Jian, Bashkëpunëtor i Përkohshëm i NTU-JTC I3C.
- Koh Chwee, Drejtor i Divizionit të Shërbimeve Teknike të JTC dhe bashkëdrejtor i NTU-JTC I3C, tha se shpikja e kësaj teknologjie jo vetëm që do të mundësojë industrinë e ndërtimit të zvogëlojë punën intensive, por edhe kohën e ndërtimit, gjithashtu heq fare shqetësimet për ripunimin rrugëve.
Betoni tipik përfshin çimento, ujë, zhavorr dhe rërë. Ndërsa kjo përzierje e bën betonin të fortë, ai nuk e nxit fleksibilitetin. Kështu betoni është i brishtë dhe i prirur për tu çarë nëse mbi të aplikohet shumë peshë.
ConFlexPave është projektuar në mënyrë specifike që të ketë lloje të caktuara të materialeve të forta të përziera me mikrofibra polimeri. Përfshirja e këtyre fibrave të veçanta sintetike, përveç që e lejojnë betonin të lakohet, gjithashtu rrit rezistencën e rrëshqitjes.
“Materialet e forta krijojnë një sipërfaqe jo-rrëshqitëse ndërsa mikrofibrat të cilat janë më të hollë se gjerësia e flokëve të njeriut, shpërndajnë ngarkesën në të gjithë pllakën, duke rezultuar në një beton që është i fortë si metal dhe të paktën dy herë më i fortë se betoni i rregullt”, shpjegoi Profesori Yang En-Hua.
ConFlexPave është testuar me sukses në laboratorët e NTU. Testime të mëtejshme do të bëhen gjatë tre viteve të ardhshme në partneritet me JTC, në lokacione të përshtatshme brenda pronave industriale të JTC-së dhe në NTU ku do të ketë trafik njerëzor dhe automjetesh.