Aktuale
Bie kredia e keqe, por ngec në vend kreditimi bankar
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2018/01/para-.jpg)
Raporti i kredive me probleme ra përsëri për nëntorin e vitit të kaluar, duke konfirmuar tendencën pozitive përgjatë vitit 2017.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme ra më tej në 14.3%, nga 14.5% që kishte qenë në fund të tetorit. Që nga fillimi i vitit 2017, raporti i kredive me probleme ka zbritur me rreth 6 pikë përqindje. Shifra e regjistruar në fund të nëntorit është më e ulëta që nga tetori i vitit 2010.
Rënia e kredive me probleme është rezultat i përpjekjeve intensive të bankave dhe
institucioneve publike në vitet e fundit. Ndikimin kryesor, sidomos në një fazë të parë, e
dha pastrimi i bilanceve nga kreditë e humbura prej vitesh.
Ndërkohë, për kredimarrësit zhvillimet në nëntor nuk kanë qenë pozitive.
Norma mesatare (për të gjitha afatet e maturimit) e huave të reja në lekë u rrit në 6.8%, nga 6.59% që kishte qenë muajin e mëparshëm. Gjithsesi, kredia në lekë vijon të mbetet me kosto të favorshme, teksa interesat kanë rënë ndjeshëm vitet e fundit. Megjithatë, kjo nuk e ka nxitur kreditimin.
Me bazë vjetore (nëntor 2017/nëntor 2016), rritja e huasë për ekonominë është minimale vetëm 0.1%, duke shënuar të tretin vit radhazi kur ekonomia nuk po kreditohet, pavarësisht politikës lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë.
Nga ana tjetër, kthimi nga kursimet në lekë nuk ka qenë i kënaqshëm as në muajin
nëntor. Sipas statistikave të publikuara së fundmi nga Banka e Shqipërisë, norma
mesatare e depozitave me afat (1-60-mujore) ishte 0.91%, nga 0.93% që kishte qenë në
muajin e mëparshëm, duke arritur nivelin më të ulët në katër muaj.
Për depozitat me afat 12-mujor, që kanë qenë më të preferuarat nga kursimtarët, kthimi vjetor ishte 0.74% në nëntor, nga 0.81% muajin e mëparshëm. Duke pasur parasysh se inflacioni vjetor luhatet rreth 2%, kthimi real nga depozitat është negativ.
Interesin më të lartë e përfiton nëse mbyll kursimet për një afat 5-vjeçar, me rreth 3.1% në vit.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)