Aktuale
Mbi 10% e aksidenteve në Kosovë ndodhin për shkak të rrugës
Rrugët e Kosovës janë shndërruar në fushëbetejë mes jetës dhe vdekjes. Aksidentet në trafik kanë marrë shumë jetë njerëzish këto ditë. Ditëve të fundit, katër personat vdiqën pas një aksidenti në rreth rrotullimin e madh që ndan rrugën nga Prishtina në Mitrovicë. Me këtë aksident numri i të vdekurve shkoi në 54 gjatë këtij viti.
Në rrugët e Kosovës nuk të duhet shumë vëzhgim për të parë rrugë të cilat janë të amortizuara edhe atë nga një periudhë jo e gjatë pas shtrimit. Përveç që ia humbin estetikën, ato mund të sjellin dëme edhe më të mëdha në rrugë.
Pakujdesia e shoferëve, shpejtësia e lartë e drejtimit të automjetit, parregullsitë teknike të mjetit tradicionalisht janë konsideruar si shkaktarë kryesorë të aksidenteve rrugore. Megjithatë edhe ndikimi i elementëve rrugorë si amortizimet, sinjalizim e ndriçimi luajnë një rol jo të vogël në shkaktimin e këtyre aksidenteve, shkruan Ndertimi.info
Inxhinieri i komunikacionit, Nol Dedaj tregon për Ndertimi.info se duke shikuar nga aspekti i sigurisë rrugore, faktori rrugë në Kosovë është ndikues në aksidente me mbi 10%, ndryshe nga ndikimi normal prej 8-10 %.
“Faktori rrugë është pjesëmarrës në aksidente rreth 8-10%, ndërsa tek ne tejkalon 10%, por duhet ta cekim se nuk ka studime lidhur me pjesëmarrjen në aksident të faktorit rrugë“, ka thënë Dedaj.
“Duke u nisur nga elementet e rrugës siç janë, vrazhdësia e sipërfaqes së rrugës, mikro dhe makrodeformimet në rruge, pekat e zeza, gropat goditëse , rëniet gjatësore dhe tërthore ne bazë të kategorive të rrugës dhe të tjera, atëherë mund ta konkludojmë këtë”, ka vazhduar ai.
Megjithatë, sipas Dedajt, faktori njeri është kontribuuesi kryesor. “Kontribuon me 85 % i ndjekur nga faktori mjet me 3-5 %, faktori incident me 1-3 % dhe ai komunikacion me 1 %”.
Ndërkaq, drejtori i Departamentit të Rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës, Skender Gashi si faktorë të shkaktimit të aksidenteve ka përmendur aspektin e sinjalizimit të rrugëve dhe të mirëmbajtjes jocilësore, edhe pse fajtor numër 1 e ka konsideruar faktorin njeri.
“Në bazë të statistikave faktori rrugë ndikon shumë pak në shkaktimin e aksidenteve të komunikacionit. Shkaktar kryesor për aksidente është faktori njeri dhe faktorë tjerë siç janë parregullsia teknike e automjeteve etj”, është shprehur ai. “Megjithatë duhet të punohet në vazhdimësi në mirëmbajtjen cilësore të rrugëve ,vendosjen e sinjalizimit dhe faktorë tjerë që janë shkaktarë të aksidenteve të komunikacionit në rrugët e Kosovës”, ka vazhduar Gashi.
Çështje shumë e diskutueshme sa i përket infrastrukturës rrugore është edhe cilësia e asfaltit, material me të cilin shtrohen rrugët lokale, regjionale apo autostradat në Kosovë. Për këtë çështje, eksperti Dedaj thotë se mungojnë përbërësit e mirë të asfaltit, gjë që e tregojnë mikro dhe makro deformimet në rrugë.
“Sa i përket mangësisë së elementeve të asfaltit nuk do të deklarohesha për shkak se nuk jam ekspert i fushës por duke pasur parasysh që pas shtrimit të asfalltit paraqiten makro dhe mikro deformimet në rrugë, atëherë konstatojmë se përbërësit e asfaltit të mirë mungojnë”, ka deklaruar Dedaj.
Të njëjtën nuk e mendon edhe Gashi. Sipas tij, çdo projekt kontrollohet nga menaxheri mbikëqyrës i projektit, i cili kontrollon për sasi dhe cilësi dhe e dërgon materialin për testim në laboratorë të licencuar për kontrollimin e cilësisë e cila e lëshon dokumentin ndërsa më pas krijohet komisioni për vlerësim teknik i cili bën vërejtje nëse ka dhe lëshon procesverbale.
“Cilësi të dobët nuk mund të ketë pasi që i tërë procesi kryhet nga menaxherë profesionistë të cilët e testojnë materialin në laboratorë për ta testuar cilësinë”, është shprehur Gashi.
Ndërsa daljen nga gjendja eksperti Dedaj e ka parashikuar duke e krijuar bazën ligjore të sigurisë në komunikacion dhe një strategji të mirëfilltë 10-vjeçare.
E për Gashin, rëndësi të madhe ka edukimi i gjeneratave dhe kontributi i institucioneve relevante.
Ky vit është duke u karakterizuar me më shumë aksidente se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Afër 8500 aksidente prej të cilëve rreth 3000 me lëndime kanë ndodhur deri në këtë pjesë të vitit. Sipas zëdhënësit të Policisë, Baki Kelani, këto statistika tregojnë se ka pasur rritje prej 12.31 % në krahasim me periudhën janar-qershor të vitit të kaluar.
You must be logged in to post a comment Login