Aktuale
Kërkohen dhoma të veçanta për zgjidhjen e kontesteve të bankave
Drejtuesit e Bankës Qendrore të Kosovës kanë paralajmëruar ndryshimin e ligjit, përmes të cilit do të mund të bëhen publike vendimet për dënimet e bankave dhe kompanive të sigurimeve që kanë shkelur të drejtat e konsumatorëve.
Me ligjin aktual thonë se një gjë e tillë është e ndaluar.
Ushtruesi i Detyrës së Guvernatorit të BQK-së, ka kërkuar nga gjykatat të formojnë dhoma të veçanta për t’i zgjidhur kontestet e bankave që mund të ndikojë në uljen e mëtutjeshme të normës së interesit, raporton KTV..
Numri i qytetarëve që po ankohen për mënyrën e funksionimit të bankave dhe kompanive të sigurimeve në Kosovë ka shënuar rritje.
Vetëm në Bankën Qendrore të Kosovës është shumëfishuar numri i qytetarëve të pakënaqur me shërbimet e bankave dhe kompanive të sigurimeve.
Po ashtu, nuk kanë munguar edhe dënimet për kompanitë nga të dy sektorët, por se asnjë vendim i marrë nuk është bërë publik.
Në një bisedë për KTV-në, ushtruesi i detyrës së Guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmeti, ka thënë se shumë shpejt do t’i propozojë Kuvendit ndryshimet ligjore, përmes të cilave të gjitha vendimet do të bëhen publike.
Sa i përket performancës së sektorit bankar, ai ka thënë se ka tejkaluar pritjet, pasi ka pasur më shumë rritje, ndërsa ka bërë të ditur se norma mesatare e interesit të kredive ka rënë në 6.8%, ndërsa për bizneset ajo është 5%.
Mehmeti ka njoftuar se një bankë e huaj është e interesuar të futet në Kosovë.
Ai ka thënë se 70% e kredive u janë dhënë bizneseve. Edhe niveli i kredive të këqija është i vogël dhe kjo ka arritur të mbahet edhe me funksionimin e përmbaruesve privatë.
Mehmeti nuk fsheh mundësinë që nëse merren disa masa nga gjykata, ky nivel të bjerë edhe më shumë, që do të shtynte bankat të ulnin edhe më tutje normën e interesit të kredive.
Edhe remitencat kanë shënuar rritje prej 11.1%, mirëpo ato vazhdojnë që të shkojnë në konsum, kurse pjesa e investimeve po dedikohet në blerje shtëpish e banesash.
Andaj, Mehmeti ka kërkuar nga institucionet që të vazhdojnë reformat ekonomike, në mënyrë që t’i bindin mërgimtarët të investojnë në prodhim në Kosovë, pasi kapaciteti i tyre financiar mund të ndihmojë vendin të rritet ekonomikisht më shumë.
Në lidhje me kartonin e gjelbër, ai ka thënë se një problem i madh që po e ndalon arritjen e këtij objektivi, përpos problemit të mosanëtarësimit në OKB, është edhe numri i madh i automjeteve të paregjistruara dhe të pasiguruara, që po lëvizin në rrugët e Kosovës.