Featured
Kur premton Lekaj se do të aktivizohen pushimoret në autostradën “Ibrahim Rugova” [video]
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/12/11873620-1645650375718203-3112901084173713976-n.jpg)
Të gjithë ata që kalojnë në autostradën “Ibrahim Rugova” bëjnë kilometra rrugë, mirëpo nuk kanë se ku të ndalen. Kjo pasi autostrada më e madhe në vend nuk ka asnjë pushimore.
Qeveria e kaluar kishte thënë se kjo çështje është në duar të Ministrisë së Infrastrukturës, Kreu i këtij dikasteri, Pal Lekaj duke folur për këtë projekt ka thënë se çdo gjë të vështirë e ka mbuluar pluhuri në sirtar.
Ai, në një intervistë për Ndërtimi.info ka theksuar se kësaj pune do t’i jepet prioritet, duke u zhvilluar projektin në bazë të procedurave të nevojshme për partneritetin publiko-privat.
“Ajo që më ka ra në sy, është se gjithçka që ka qenë e vështirë e ka mbuluar pluhuri në sirtarë. Sepse ndoshta kanë hezituar që t’i hyjnë ndonjë problematike të partneritetit publiko-privat, dhe ajo që i mungon Kosovës është mu kjo. Dhe ne do t’i japim prioritet, do ta zhvillojmë projektin në bazë të fezibilitetit, në bazë të procedurave që janë për partneritet publiko-privat. Ligji e saktëson shumë mirë, dhe ne jemi të gatshëm t’i hyjmë këtij projekti sepse ndikon në buxhetin e Kosovës. Sepse shumë të holla shpenzojmë në këtë drejtim, por shumë më mirë do ta mirëmbajë ai që përfiton në këtë drejtim”, ka thënë ai.
Autostrada “Ibrahim Rugova” është paraparë t’i ketë 12 pushimore e që do të mund të hapin vende të reja pune.
Duke përmendur këtë, Lekaj ka deklaruar se procedurat do të shtyhen përpara, derisa ka shtuar se do të ketë vëzhgim me kamera, e që për këtë do të nënshkruhet një marrëveshje 5 milionëshe me Hungarinë.
“Edhe pushimoret, edhe ka impakt në krijimin e vendeve të reja të punës por edhe bizneseve në përgjithësi. Sepse janë diku 12 pika që janë të parapa për pushimore, për pika të karburanteve dhe zhvillimeve të bizneseve. Nuk e di që sa kohë pse është pritur kaq shumë, por ne do t’i shtyjmë këto procese. Por ajo çfarë më mbetët të them përveç këtyre proceseve të partneritetit publiko-privat do të hyj në jetë edhe vëzhgimi 24 orë me kamera në tërë infrastrukturën rrugore sepse edhe kjo ndikon pozitivisht në sigurinë e qytetarëve dhe lëvizjen e pakontrolluar të shumë ngasëve të automjeteve por edhe lëvizjet tjera që kanë impakt negativ në shtetin e Kosovës. Prandaj, ne do të nënshkruajmë një kontratë me qeverinë hungareze diku 5 milionë euro dhe kjo do të zhvillohet në vitin 2018”, ka shtuar ministri.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)