Aktuale
Kërkohet dënimi për ish-drejtorin dhe inspektorin e ndërtimit në Prizren
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/12/drejtoi-dhe-inspektori-i-ndertimit-ne-Prizren.jpg)
Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga gjykata që ish-drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, Bedri Bytyqi dhe inspektori i ndërtimit në këtë drejtori, Bashkim Krasniqi, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Prokurori i rastit, Metush Biraj, gjithashtu dënim ka kërkuar edhe për të akuzuarin për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme, Faton Hoxha.
Këtë kërkesë prokurori Biraj e ka bërë të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ku është dhënë fjala përfundimtare në këtë rast, i cili ishte kthyer në rigjykim nga gjykata e shkallës së dytë.
Prokurori Metush Bira, në fjalën e tij përfundimtare, ka deklaruar se pas administrimit të provave në këtë shqyrtim gjyqësor është vërtetuar në tërësi teza e aktakuzës, se të akuzuarit me dashje dhe dijeni kanë kryer veprën penale për çka janë akuzuar.
Mbrojtësi i të akuzuarit Bedri Bytyqi, avokati Florin Vërtopi, në fjalën e tij përfundimtare, ka kërkuar nga gjykata që klienti i tij të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet nga akuza.
Ai ka deklaruar se në aktvendimin e Gjykatës së Apelit, me të cilin ky rast është kthyer në rigjykim, është theksuar se kjo çështje juridike penale më shumë ka të bëjë me një kontest juridiko-civil dhe sipas tij, në këtë çështje penale nuk ka palë të dëmtuar.
I akuzuari Bedri Bytyqi, e ka mbështetur fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij, duke shtuar se është i bindur se ai i ka kryer të gjitha obligimet ligjore.
Mbrojtësi i të akuzuarit Bashim Krasniqi, avokati Dardan Morina, në fjalën përfundimtare deklaroi se aktakuza e prokurorisë deri më tani nuk është vërtetuar, duke kërkuar që klienti i tij të lirohet nga akuza.
I akuzuari Bashkim Krasniqi, e ka mbështetur fjalën përfundimtare të avokatit të tij.
Kurse, avokati Florent Latifi, mbrojtës i të akuzuarit Faton Hoxha, duke i referuar vendimit të Gjykatës së Apelit, ka deklaruar është i habitur se si një person mund të konsiderohet edhe blerës edhe uzurpator.
I akuzuari Faton Hoxha, në fjalën e tij përfundimtare, ka deklaruar se e mbështet avokatin duke mos shtuar asgjë më shumë.
Paraprakisht në këtë seancë janë administruar provat materiale, si dhe iu ka dhënë mundësia që të akuzuarit të japin mbrojtjen e tyre, por të njëjtit iu kanë qëndruar mbrapa deklaratave të dhëna më parë.
Shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet më 5 janar 2018, nga ora 14:00.
Ndërsa, ndaj të akuzuarit tjetër për uzurpim, Ilaz Susurit, trupi gjykues, ka vendosur që të ndahet lënda penale, pasi që sipas raportit të policisë, i njëjti është i sëmurë dhe nuk mund të lëvizë fare.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)