Aktuale
Lirohen pronat e uzurpuara të AKP-së në veri të Mitrovicës
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/12/mitrovica-e-veriut-1.jpg)
Drejtori menaxhues i AKP-së, Ekrem Hajdari, në një konferencë me medie në Prishtinë ka thënë se të mërkurën është zhvilluar aksioni i lirimit të pronave të AKP-së në veri të Mitrovicës.
Gazeta “Zëri” ka mësuar se kanë qenë edhe 7 lokale afariste të ish-LUX-it që kanë mbetur të uzurpuara, ndonëse një aksion për lirimin e tyre ishte ndërmarrë në marsin e vitit 2015.
Drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari, në një konferencë me gazetarë, të mërkurën në Prishtinë, ka njoftuar se në veri të Mitrovicës është zhvilluar aksioni i lirimit të pronave të AKP-së, të uzurpuara nga serbët që përfundimi i luftës.
Shumica e lokaleve dhe objekteve që ishin uzurpuar nga serbët kanë qenë prona të ndërmarrjes tregtare shoqërore LUX, ndonëse disa prej tyre ishin blerë në njërën nga valët e privatizimit nga shqiptarët, por që serbët nuk i lironin.
Njëra prej tyre ka qenë edhe kafeneja e njohur “Dolce Vita” në cep të urës së Ibrit në pjesën veriore, në të cilën rëndom qëndronin të ashtuquajturat “Roja të Urës”, të cilat nga aty ua zinin pritën shqiptarëve që kalonin urën për të shkuar në pronat e tyre në veri.
“Sot përderisa po flasim me gjasë kolegët tanë nga terreni, konkretisht në Zyrën Rajonale të Mitrovicës, janë në bashkëpunim me Policinë, duke planifikuar edhe aksionin e fundit për këtë vit për t’i liruar edhe disa asete të cilat kanë mbetur 3-4 të fundit në veri të Mitrovicës. Ngase ne në bazë të informatave që kemi besojmë që ky numër do të arrijë edhe në zero. Do të eliminohet e gjithë lista e uzurpatoreve, shumica e uzurpatorëve serbë që kanë shprehur dëshirën më në fund që të ulen dhe të nënshkruajnë kontrata për qiramarrje me AKP-në”, tha Hajdari.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)