Featured
“Rrëshqiti apo JO nën autocisternë” – pikëpyetja e raporteve për vdekjen e Tafil Tafallarit
Dy muaj pas aksidentit nga i cili Tafil Tafallari humbi jetën në vendin e tij të punës, Meriton Salihu i cili kishte shkaktuar aksidentin me automjetin që drejtonte, të martën për herë të parë është dashtë që të dal para trupit gjykues në seancën fillestare. Mirëpo, kjo nuk ndodhi pasi kjo seancë u shtye për të premten e 29 dhjetorit.
Kushtrim Hajzeri
Meriton Salihu do të dalë para trupit gjykues si i akuzuar për shkaktim të aksidentit me fatalitet në vendin e punës. E, aktakuza ndaj tij është ngritur duke marrë për bazë edhe ekspertizën e bërë nga eksperti i komunikacionit, në lidhje me rrjedhën e ngjarjes, shkruan Ndërtimi.info.
Kjo ekspertizë të cilën e ka siguruar Ndërtimi.info, po e hedhë poshtë deklaratën e dëshmitarëve të dhënë për Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin e Punës se Tafil Tafallari para se të ndodhte aksidenti ka qenë i shtrirë në tokë si pasojë e rrëshqitjes.
Ekspertiza theksohet se Tafallari nuk ka rrëshqitur pa pasur kontakt fizik me automjetin që ia mori jetën.
“Në raportin e policit hetues është ceku se këmbësori Tafil Tafallari, tani i ndjerë, përnjëherë ka rrëshqitur dhe ka hyrë nën autocisternën “Mercedes – Benz”, sigurisht që polici hetues është bazuar në deklaratën e dëshmitarit Nazim Bunjaku, mirëpo duke u bazuar në pozitën e këmbësorit të ndjerë pas shkeljes dhe trajektoren e lëvizjes së autocisternës dhe këmbësorit para se me ndodh fatkeqësia, unë mendoj se këmbësori nuk ka rrëshqitur paraprakisht pa pasur kontakt fizik me autocisternën”, thuhet në ekspertizën e rastit.
Në raportin përfundimtar që Inspektorati i Punës e kishte hartuar disa ditë pas ngjarjes, nënvizohet se Tafil Tafallari kishte qenë i shtrirë para se automjeti ta shkelte.
“Ky për mos me u ndal, mos me mund të dal sepse pjerrtësia ka qenë bukur e madhe, 5 për qind diku dhe i ka dhënë gaz pa e parë se lartë është punëtori i shtrirë në rrugë. Punëtori ka qenë i rrëzuar në rrugë, me kokë teposhtë. Arsyeja nuk dihet, a ka rrëshqit apo çfarë ka ndodhur, por dihet që ka qenë i shtrirë më këmbë lartë dhe kokë poshtë”, thuhet në raport, sipas interpretimit të zëvendëskryeinspektorit Agim Millaku që kishte bërë për Ndërtimi.info.
Duke mos mbështetur këtë deklaratë të dëshmitarëve, eksperti i komunikacionit ka arrritur në përfundim se aksidenti në të cilin humbi jetën Tafil Tafallari, i ndodhur në punishten e kompanisë “Bechtel & Enka” është shkaktuar nga lëshimet primare të shoferit Meriton Salihu i cili ka qenë duke e drejtuar autocisternën.
Këtë përfundim ky ekspert i komunikacionit e mbështetë në tri pika:
Në çastin kritik, ky shofer nuk ka ushtruar kujdes të shtuar gjatë drejtimit të autocisternës “Mercedes – Benz” në punishten e Bechtel Enka – GP në fshatin Kovaçec, pikërisht në sipërfaqen e pa ndërtuar dhe konstruktuar si rrugë për lëvizjen e mjeteve motorike, ku edhe lëvizja e mjeteve motorike dhe këmbësorëve zhvillohet në mënyrë të paorganizuar
Shoferi i autocisternës në momentin që është afruar dhe ka kaluar pranë këmbësorit në të njëjtin drejtim të lëvizjes nuk ka ushtruar kujdes të veçantë dhe nuk ka mbajt distancë të sigurt anësore. Distancën anësore e cakton vetë shoferi, e cila distancë duhet të jetë e mjaftueshme që të mos rrezikohet siguria në trafik.
Shoferi i autocisternës në momentin që ka lëvizur pranë këmbësorit ka qenë i obliguar ta paralajmërojë me anë të sinjalit të zërit (burisë) për rrezikun e mundshëm, me qenë se të dy pjesëmarrësit kanë lëvizur në sipërfaqen ku trafiku zhvillohet në mënyrë të paorganizuar.
Por, nga ana tjetër ekspertiza thotë se në këtë aksident një pjesë të fajit e kishte edhe viktima Tafil Tafallari sepse nuk ka ushtruar kujdes të veçantë (shtuar) gjatë lëvizjes në zonën ku lëvizja e mjeteve motorike dhe e këmbësorëve zhvillohet në të njëjtën sipërfaqe dhe në mënyrë të paorganizuar.
Ndërkaq, ngjarja në të cilën humbi jetën 41 vjeçari Tafil Tafallari kishte ndodhur më 28 tetor të këtij viti në fshatin Kovaçec gjatë punimeve në ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.
Duke qenë se i ndjeri Tafallari ishte punëtor i kompanisë “Bechtel & Enka”, e cila po ndërton këtë autostradë, Inspektorati i Punës në bazë të një raporti të ngjarjes kishte dënuar këtë kompani me një gjobë prej 7 mijë e 500 euro, me arsyetimin se kishte ky punëdhënës kishte vënë në rrezik jete punëtorin e tij./Ndërtimi.info/