Aktuale
Mbledhja e Qeverisë u shndërrua në “Mbledhje të Shpronësimeve”
Edhe pse 22 dhjetori nuk do të mbahet mend për asgjë tjetër përpos përpëlitjeve për heqjen e asaj që quhet “Gjykata Speciale”, e që me emër zyrtar është Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, në atë paradite u mbajt edhe një mbledhje e Qeverisë së Kosovës.
Jo më pak e as më shumë se 8 vendime u morën për shpronësime, raporton Ndërtimi.info.
I pari ishte për shpronësime në Zonën Kadastrale Paldenicë në Han të Elezit. Ato toka do të preken nga ndërtimi i Autostradës R6 Prishtinë-Han i Elezit.
Më pas u vazhdua me shpronësimin e pronave të cilat preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit, i njohur si IBM, në pikën kufitare Merdar, Komuna e Podujevës.
Edhe zgjerimi i hyrjes në qytetin e Prizrenit do të duhet të bëhet pas shpronësimit të disa pronave, për të cilat u mor vendim. Më pas Qeveria miratoi edhe vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave të cilat preken nga realizimi i Projektit “Rehabilitimi i Rrugës Nacionale N25.3”, segmenti Kllokot-Gjilan.
Në të njëjtën mbledhje u miratua edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave, të cilat preken nga realizimi i Projektit të Infrastrukturës “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N2”, Segmenti hyrja në qytetin e Ferizajt.
Qeveria mori edhe vendim për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave, të cilat preken nga realizimi i Projektit “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N25.2”, hyrja në Gjilan.
Vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave, të cilat preken nga realizimi i Projekteve: Ndërtimi i Memorialit “Baza e I-rë e UÇK-së”, Zona Kadastrale Lladovc dhe Memoriali “Kulla e Zahir Pajazitit”, Zona Kadastrale Orllan, Komuna e Podujevës, mori miratimin e Qeverisë së Kosovës.
Në gjithë këtë mes u miratua edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të përhershëm dhe me krijimin e të drejtës së servitutit për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projekteve.