Aktuale
I vetmi Haradinaj që shprehu ngushëllime kolegëve të Tafil Tafallarit
Kryeministri Ramush Haradinaj me një pjesë të kabinetit të tij, presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli e ambasadorë të huaj në Kosovë dolën sot në fshatin Bibaj të Ferizajt për të inauguruar segmentin e dytë të autostradën Prishtinë – Shkup, “Arbën Xhaferi”.
Kjo autostradë që bëri krerët shtetëror të krenohen, për të ardhur deri këtu mori edhe jetë njerëzish. Më 28 tetor gjatë punës në këtë autostradë, saktësisht në fshatin Kovaqec të Kaçanikut, vdekjen gjeti 41 vjeçari, Tafil Tafallari.
Vdekjen e tij, pas më shumë se dy muaj e kujtoi kryeministri Ramush Haradinaj, kur shkoi për të hapur për qarkullim një segment të autostradës në të cilën dha jetën Tafallari.
Duke qenë se në ceremoninë e sotme morën pjesë edhe kolegë të Tafallarit, që punuan në këtë rrugë, kryeministri Haradinaj edhe për së afërmi u shprehu ngushëllime për shokun e humbur, shkruan Ndërtimi.info.
Tafallarin, Haradinaj e përmendi edhe në fjalën e tij rreth kësaj rruge. Nga aty, ai shprehu për së dyti herë ngushëllime.
Vdekja e punëtorit të kompanisë “Bechtel & Enka”, Tafil Tafallari, kishe ngjallur reagime të ashpra, për të vazhduar edhe muaj pas rastit. Reagimet u bënë të vazhdueshme pasi Inspektorati i Punës, dënoi kompaninë “Bechtel & Enka”, 7 mijë e 500 euro, pasi kishte vërtetuar se kjo kompani kishte bërë disa shkelje ligjore që çuan në vdekje Tafil Tafallarin.





