Aktuale
Kosova ka thëngjill edhe për dy javë, dështimi për shpronësim çon vendin në kolaps energjetik
Kosova është në prag të një kolapsi energjetik me korporatën e saj të energjisë që ka rezerva të thëngjillit vetëm edhe për dy javët e ardhshme, shkruan Reuters.
Problemi mund të shihet nga të gjithë, pasi në fshatin Shipitullë ekskavatorët e mëdhenj dhe të ndryshkur, ngjashëm me “Transformers”, qëndrojnë të papunë, transmeton Koha.net. Ata nuk marrin thëngjillin, përkundër që është në sasi të madhe.
Kosova ka më shumë se 14 miliardë ton rezerva të dëshmuara të linjitit, e pesta më e madhja në botë. Por, ka qenë e detyruar të djegë rezerva të thëngjillit për të mbajtur në funksion dy termocentralet e saj.
Arsyeja është dështimi i Qeverisë për të marrë përsipër tokën private për të shfrytëzuar linjitin.
Korporata Energjetike e Kosovës – KEK, duhet të marrë mbi 52 hektarë tokë private për të marrë qymyrin e pashfrytëzuar, por banorët lokalë kërkojnë më shumë para për t’u rivendosur dhe Qeveria nuk e ka trajtuar me sukses këtë problem që është ngritur që nga viti 2013.
“Do të punojmë me kapacitet të plotë vetëm edhe për dy javët e ardhshme. Në javët e ardhshme do të përballemi me një mungesë të konsiderueshme të energjisë elektrike nga njësitë gjeneruese, të gjitha varn nga mënyra se si do t’i shpenzojmë rezervat e fundit”, është shprehur Arben Gjukaj, drejtor i KEK-ut.
Tre vjet më parë, kur KEK-u iu kishte thënë pronarëve të shtëpive se kishte nevojë për tokën e tyre, zona kishte 99 shtëpi, por banorët në ndërkohë kanë ndërtuar edhe 120 shtëpi përmes së cilave shpresojnë të përfitojnë nga ligji i shpronësimit.
Autoritetet nuk kishin bërë asgjë për t’i ndalur këto ndërtesa pa leje.
Kostoja e shpronësimit, fillimisht ishte vendosur 4.5 milionë euro, ndërsa tani ajo është rritur në 15.5 milionë euro dhe do të paguhet nga KEK-u.
You must be logged in to post a comment Login