Aktuale
2400 objekte të trashëgimisë të humbura

Janë 2400 objekte të trashëgimisë që rezultojnë të humbura në Shqipëri, por problemet me regjistrimin e pasurive kulturore kryesisht janë tek privatët.
Konferenca “Lufta kundër trafikimit të paligjshëm të pasurisë kulturore: Sfidat dhe nevoja për ndërgjegjësim” risolli problemet që janë në objektet e trashëgimisë kulturore. Edhe pse flitet se është në zbatim një plan kombëtar i veprimit, për drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore Silva Breshani mungesa e ndërgjegjësimit mbetet problem.
“Janë 2400 vepra të humbura, por për aq kohë sa janë të humbura mund të jenë dhe pjesë e trafikimit dhe nuk ka një përditësim të tyre. Ne po bëjmë të pamundurën me Interpolin. Por më besoni që është tepër e vështirë, sepse mungon identifikimi i fotove nga objektet ku kanë qenë në institucionet ku janë marrë, nuk kanë qenë të dokumentuara me foto.
Problem është mungesa e ndërgjegjësimit ndaj trashëgimisë kulturore, ndaj objekteve të humbura, ndaj trafikimit”, u shpreh Breshani.
Objektet që rezultojnë të humbura janë pas viteve ’90. “Bëhet fjalë për në vitet 1990-‘97 dhe ndoshta muzetë në atë kohë nuk e kishin prioritetin e tyre plotësimin me foto të objektit. Kjo ka ndodhur dhe po bëjmë të pamundurën për tu identifikuar. Objektet arkeologjike, arkitektonike, janë vepra arti nga galeria edhe nga institucionet e tjera dhe nga muzetë. Por bëhet fjalë për ‘90-’97”, shton më tej Breshani.
Sipas saj problemi qëndron te privatët me dokumentimin dhe regjistrimin e veprave të pasurisë kulturore.
“Në Shqipëri institucionet kombëtare, që janë në varësi të Ministrisë së Kulturës në 99 përqind të tyre janë me objekte të dokumentuara dhe të regjistruara. Një handikap ose problematikë e madhe është pronësia private për të cilën besoj shumë shpejt përmes plan veprimit kombëtar do të hedhim hapat e rëndësishëm. Një nga pikat është kodi i etikës, që është përkthyer nga QKIPK, pra për të ndërgjegjësuar tregtarët e veprave të artit se çfarë është trafikimi i pasurive kulturore”, vijon Breshani.
Pas kokës së Zeusit, asnjë objekt i kthyer
Në fjalën e saj Breshani nuk bëri me dije nëse ka diçka konkrete për rikthimin e objekteve që janë të humbura. Pohon se disa janë piketuar që ndodhen jashtë Shqipërisë dhe pritet të riatdhesohen, por për çështje hetimi nuk bëhen të ditur detajet rreth veprave.
“Nga gjetjet e fundit që është Koka e Zeusit dhe që ka ardhur, ende nuk kemi pasur fatin për të kthyer një objekt por të shpresojmë”, pohon ajo.
Breshani tha se po bëhet e pamundura për të rritur ndërgjegjësimin, për të identifikuar, por pohoi dhe se duhet një regjistër i saktë i pasurive kulturore. “Nëse ne nuk kemi një regjistër të saktë kombëtar të pasurive kulturore nuk mund të pretendojmë që kemi bërë detyrën e plotë për ti mbrojtur ato”, u shpreh drejtoresha e QKIPK.
2400 objekte të trashëgimisë tonë kulturore që rezultojnë të humbura ose të trafikuara, të dhënat dalin pas një kontrolli të kryer nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive në institucionet e artit e kulturës. Janë përpiluar pasi specialistët krahasuan objektet e dokumentuara në regjistrat themeltarë me ato që gjenden në fondet e institucioneve përkatëse.
Plani kombëtar i veprimit ka si qëllim të krijojë dhe përditësojë inventarin kombëtar të pasurive kulturore në një periudhë kohore 2016-2018 dhe për zbatim nga institucionet publike dhe private, koleksionistët që administrojnë objekte ose fonde të trashëgimisë. Të përmirësojë strukturën ligjore, të forcojë bashkëpunimin qendror e lokal, të rrisë bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e trafikimit, etj.
Konferenca “Lufta kundër trafikimit të paligjshëm të pasurisë kulturore: Sfidat dhe nevoja për ndërgjegjësim” organizohet në kuadër të aplikimit të Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore (QKIPK) në “Programme of Participation in the activities of Member States 2016-2017” mbështetur nga UNESCO.
