Aktuale
Qendra e Xhudos ku do të ushtrohen kampionët e Driton Kukës [foto]
Në vendlindjen e kampiones olimpike të xhudos, Majlinda Kelmendi, së shpejti pritet të ndërtohet Qendra Nacionale e Xhudos. Në një lokacion shumë të frekuentuar të qytetit të Pejës më saktësisht në zemër të qytetit pritet të jetësohet kjo qendër shumë e nevojshme dhe domethënëse.
Ky projekt do të ndërtohet si bashkëpunimi i Komunës së Pejës dhe Ministrisë së Kulturës dhe Sportit. Muaj më parë Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka shpallur kompaninë fituese “Home Project Studio “.
Të kontaktuar nga Ndertimi.info kompania “Home Project Studio” ka dhënë disa detale mbi realizimin e objektit. Qendra nacionale e xhudos përfshinë sipërfaqen prej 16.3 ari (S=1.636.52 m2) dhe gjendet në kuadër të zonës urbane ‘’Qendra’’ në Pejë. Lokacioni ka qasje në rrugën ‘’Madeleine Albright’’ në jug, kurse në perëndim, lindje dhe nga ana veriore përkufizohet me lokacione të ndryshme private dhe publike. Në këtë zone janë të destinuara kryesisht ndërtesat me etazhitet të lartë (banim kolektiv), ndërtesat publike, shoqërore, kulturore, administrative, shëndetësore.
Sipas arkitektëve të kësaj kompanie objekti ka arkitekturë bashkëkohore me një shprehje të veçantë arkitektonike duke u fokusuar në disa elemente të arkitekturës japoneze me të cilën do të identifikohet menjëherë si qendër e Xhudos – nga i cili vend e ka origjinën ky sport. Objekti i qendrës nacionale të xhudos ka etazhitet B+P+3K+KT. Organizimi i kësaj ndërtese do të jetë i tillë bodrum që do të shfrytëzohet si parking, përdhesa e cila do të shfrytëzohet për afarizëm e dedikuar për hapësira për ekonomi të vogël (dyqane sportive, lokale zejtare, restorante).
Salla e xhudos do të ketë një sipërfaqe prej 520 m2 dhe do të ndërtohet e gjitha me standarte evropiane ku do të përfshijë hapësirë për mjekun, fizioterapeutin dhe po ashtu edhe hapësirë për shikuesit dhe pjesën mediale. Në katin e parë të objektit do të vendosen zyrat e federatës së xhudos dhe hapësira për aktivitete arsimore dhe edukative. Kati i dytë dhe i tretë do të jenë hotel, ku do të shfrytëzohen për akomodimin e delegacioneve të jashtme dhe përgatitjet e sportistëve për gara. Pjesa e tërhequr e objektit do të jetë një restorant.
Këto ditë xhudistët kanë shënuar fitore të mëdha në Garat e Frankofonisë, ku Distria Krasniqi u bë e artë bashkë me Akil Gjakovën.
/Ndertimi.info/
You must be logged in to post a comment Login