Aktuale
Historia maratonike e Termocentralit “Kosova e Re”

Më shumë se një dekadë projekti i ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re” ishte përfshirë në agjendat e të gjitha qeverive në pushtet.
Pas disa analizave që janë bërë në vitin 2001, është ardhur në përfundim që të ndërtohet një termocentrale me kapacitete të reja prodhuese.
Katër vjet më vonë u vendos që do të ndërtohet Termocentrali i quajtur “Kosova C” me kapacitet 2000 megavat. Vetëm një vit pas, më 2006 Qeveria shpalli edhe tenderin për ndërtimin e këtij projekti dhe nga dhjetë kompani sa aplikuan, vetëm katra prej tyre u kualifikuan për të ndërtuar termocentralin që arrinte koston në 3.5 miliardë euro. Por në vitin 2007, kur ndryshoi përbërja e Qeverisë, Ministrinë e Energjisë dhe Minierave e mori nën udhëheqje PDK-ja në krye me ish-ministren Justina Shiroka-Pula. Këtij projekti përveç që iu ndryshua emri nga “Kosova C” në “Kosova e Re” iu zvogëluan edhe kapacitetet prodhuese nga 2000 megavat në 1000 megavat.
Kjo bëri që të tërhiqen nga procesi tenderues edhe kompanitë e interesuara. Shiroka-Pula premtoi se projekti do të realizohet në vitin 2011. Por ai mbeti vetëm në letër. Edhe në garniturën e re qeverisëse premtimet vazhduan njësoj. Pas shkrirjes së Ministrisë së Energjisë dhe Minierave në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomi, e cila u udhëhoq nga Besim Beqaj i PDK, ky i fundit shprehu bindjen se kompania fituese për ndërtimin e termocentralit do të fillonte projektin në vitin 2012me përkrahjen e Bankës Botërore.
Për Termocentralin “Kosova e Re” nuk u bë asgjë deri në 2015. Pas marrjes së Qeverisë nga LDK-ja dhe PDK-ja, u formua një komitet drejtues për projektin e këtij termocentrali.
Në krye të këtij komuniteti ishte ish-ministri Blerand Stavileci. Ky komunitet në muajin 2016-s i dha drejtën e gjelbër ofertuesit që të kalohej në fazën e bisedimeve të drejtpërdrejta. Në garën kualifikuese ishte vetëm kompania “Countur Global”.
Vlera e përafërt e ndërtimit të TC “Kosova e Re” do të jetë rreth 1 miliard euro. Një e treta e investimeve do të bëhet nga investitori privat dhe pjesa tjetër nga institucionet ndërkombëtare.
Sipas strategjisë për energji 2016-2025, Termocentrali “Kosova e Re” pritet të përfundoj në vitin 2022. Ndërsa kapacitete e para prodhuese pritet t’i japin në 2023.
