Featured
Ankohet përsëri banori i Lagjes së Muhaxherëve: Rrëshqitja e dheut po na rrezikon
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/12/faza-e-ndertimit.jpg)
Dikur Dragodani ishte Lagjja që kishte më së shumti telashe me rrëshqitjen e dheut në Prishtinë. Po me të njëjtin problem tani po ballafaqohen banorët e Lagjes së Muhaxherëve, përkatësisht rruga “Bedri Shala”, shkruan Ndërtimi.info
Të shtunën e kaluar në vendin ku po bëhen punimet nga kompania N.N.P “Driloni” Sh.P.K pati rrëshqitje të pilotëve.
E cila nxiti edhe reagimin e banorëve dhe familjes Gllogu, ku kryefamiljari i kësaj familje thotë se po rrezikohet nga punimet që po bëhen në ndërtimet atje.
Se ekziston rreziku për këtë familje po e mohon pronari i kompanisë N.N.P “Driloni” Sh.P.K, Dalip Gashi. Ku ky i fundit po pretendon se Gllogu po e bënë gjithë këtë zhurmë vetëm për përfitime personale.
Në vendin e ngjarjes të shtunën kishin dalur edhe kryeinspektori komunal i Prishtinës, Sali Zyba i cili pati deklaruar se punimet e ndërtimeve që po zhvillohen në këtë lagje nuk paraqesin rrezik për familjen.
Por Arsim Gllogu i cili ka shtëpinë afër, edhe pas tri ditësh, pra sot për Ndërtimi.info ka thënë se në çdo kohë po rrezikohet shtëpia e tij.
“Prona jem osht ne rrezik. Familja jem u rreziku. Unë duhna me ju tregu të gjithëve përmes dikujt që me ndërmarr masa. Ka dal emergjenca e inspeksionit, por inspektorati i komunës nuk po i ndalon punimet”, tha Gllogu.
Pronari i kompanisë, Gashi është shprehur se ngjarja e së shtunës më shumë ka rrezikuar vetë ata se sa për banorët. Por ka theksuar se situata është stabile.
“Po na vjen shumë keq me këto tendenca, me bo imazh kompanisë. Realisht ne jemi duke punuar, dhe asnjë gjë nuk e rrezikon as projektin as asgjë. Ngjarja që ka ndodhur, realisht na ka rrezikuar neve si punëtorë përndryshe absolutisht nuk ka asnjë rrezik prej ndonjë ndërtimi tjetër me u bë. Kanë qenë inspektorët në vendin e ngjarjes edhe situata është jashtëzakonisht stabile”, tha Gashi për Ndërtimi.info
Më tej Gashi ka treguar se familja ankuese nuk është përfshirë në projekt, duke bërë të ditura edhe arsyet. Madje ai tha se ankuesi ka paraqitur kërkesa që për kompaninë kanë qenë të pa arritshme.
“Familja është zhvendos e iniciativën tonë, edhe familja realisht nuk është përfshirë në projekt te na kanë dhënë me pëlqim lejen se nuk do me qenë pjesë e ndërtimit. Kanë qenë disa kërkesa të tyre që për ne nuk kanë qenë të pranueshme. Kërkesa shumë të paarritshme, kështu që vetë pala që është e përfshirë në këtë rast po donë me përfitu. Ekspertiza që iu ka bërë brenda objektit, asnjë gjë nuk e thotë se ka rrezikshmëri. E kanë raportin inspektorati i ndërtimit, e ka emergjenca, realisht është një ndjenje e tij e pasigurisë e që po donë me bo kaq të madhe. Pala që po pretendon që ka rrezikshmëri, i kam thënë dil unë të paguaj qeren, dhe për punën që ke bërë aty, por ai po donë me përfitu me lajme me gjykata”, tha ai.
Ndërsa, kryeinspektori komunal i Prishtinës, Sali Zymba, i kontaktuar nga Ndërtimi.info, ka thënë se gjendet në njërën prej ambasadave dhe nuk mund të deklarohet për këtë, duke na drejtuar për në zyre të informimit.
“Jam në ambasadën gjermane, kontaktoni zyrën e informimit”, ka thënë shkurt Zymba
Por zyra e informimit në Komunën e Prishtinës nuk ka dhënë asnjë deklaratë rreth kësaj, duke thënë se duhet të kontaktojnë Zybën dhe të shohin se për çfarë po bëhet fjalë.
Më poshtë sjellim edhe disa fotografi nga vendi i ngjarjes:
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)