Aktuale
BQK-ja nxjerr ndërtimtarinë si sektor kyq në ekonominë e Kosovës [stats]
Banka Qendrore e Kosovës çdo tre muaj del me një raport mbi Vlerësimin e Ekonomisë në vend. Në raportin e saj për tremujorin e parë të vitit 2017, Janar-Shkurt-Mars, sektori i ndërtimtarisë zë vend të veçantë.
Sipas vlerësimeve preliminare del që rritja mesatare e Bruto Produktit Vendor në vitin 2016 ka qenë 3.4 për qind. Kurse, në tremujorin e parë të vitit 2017, vlerësimet e ASK-së sugjerojnë rritje të aktivitetit ekonomik prej 3.9 për qind, rritje kjo e gjeneruar nga rritja e investimeve prej 13.7 për qind si dhe rritja e konsumit prej 1.6 për qind, raporton Ndërtimi.info
Rritja më e madhe shihet te ndërtimtaria, që përcillet nga tregtia, aktivitetet financiare, afarizmi me patundshmëri dhe industria nxjerrëse.
“Sa i përket qasjes së prodhimit, rritja vlerësohet të jetë gjeneruar kryesisht nga ndërtimtaria (rritje prej 16.4 për qind), tregtia (7.1 për qind), aktivitetet financiare (12.1 për qind), afarizmi me pasuri të patundshme (5.9 për qind), si dhe industria nxjerrëse dhe përpunuese (21.9 përkatësisht 5.3 për qind)”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës. E rënie reale vlerësohet të jetë shënuar tek bujqësia (4.0 për qind) dhe administrimi publik (3.9 për qind rënie).
Ndërtimtaria në TOP 3 me ndërmarrje të reja
Numri më i madh i ndërmarrjeve të reja të regjistruara vazhdon të jetë i koncentruar në sektorin e tregtisë me 799 ndërmarrje të reja, pasuar nga sektori i bujqësisë me 350 ndërmarrje dhe ndërtimtarisë me 269 ndërmarrje.
Krahasuar me Tremujorin e parë të vitit 2016, në shumicën e sektorëve është shënuar numër më i vogël i ndërmarrjeve të regjistruara. Në sektorin e prodhimit është shënuar rënia më e madhe e ndërmarrjeve të regjistruara prej 78 ndërmarrje më pak, pasuar nga sektori i aktiviteteve financiare që u karakterizua me 45 ndërmarrje më pak të regjistruara. Sektorët që shënuan numër më të madh të ndërmarrjeve të regjistruara ishin sektori i bujqësisë dhe ndërtimtarisë (89 përkatësisht 15 ndërmarrje më shumë).
Kryesimi me kreditim
Sektori i ndërtimtarisë del të jetë sektori që ka shënuar rritjen vjetore më të madhe të kreditimit me 11.4 për qind, duke u përcjellë nga sektori i tregtisë me 8.3 për qind.
Në po këtë raport shihet se kreditë sipas sektorëve të ekonomisë në muajin mars janë të dominuara nga tregtia me 52.1%, prodhimi me 12 % dhe ndërtimtaria me 7.6%.
You must be logged in to post a comment Login