Aktuale
Prokuroria heq dorë nga aktakuza ndaj ish-drejtorit të Kadastrës
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/12/drejtesi.jpg)
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka hequr dorë nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare që e ngarkonte ish-drejtorin e Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Drenasit, Mehdi Kurrumeli.
Tërheqjen nga kjo akuzë, e ka bërë prokurorja Merrushe Llugiqi, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën kur ishte paraparë të jepej fjala përfundimtare në këtë rast, që ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.
Pas kësaj, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Suzana Qerkini, ka deklaruar se në këtë çështje penale do të merr aktgjykim refuzues.
Bashkë me Kurrumelin, janë akuzuar e më pas ishin dënuar nga gjykata e shkallës së parë edhe ish-kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku si dhe Shefqet Morina, por Apeli, këta të fundit i ka liruar nga akuza, derisa rastin e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje vetëm për të akuzuarin Kurrumeli.
Kurrumeli akuzohet se bashkë me ish-kryetarin Demaku dhe me referentin Shefqet Morina, nuk kishin regjistruar në librat kadastralë pronën në të cilën ishte ndërtuar një shkollë, e që ishte në pronësi të familjes Hasi.
Prokurorja Llugiqi, ka deklaruar se heq dorë nga aktakuza në këtë çështje penale me arsyetimin se prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj Nexhat Demakut, Mehdi Kurrumelit dhe Shefqet Morinës, ku gjykata e shkallës së parë për Demakun dhe Kurrumelin kishte shpallur aktgjykim dënues, ndërsa për Morinën, aktgjykim lirues.
Sipas prokurores, Gjykata e Apelit e kishte liruar Nexhat Demakun, si dhe kishte vërtetuar aktgjykimin lirues për Shefqet Morinën, ndërsa e kishte kthyer lëndën në rigjykim për Mehdi Kurrumelin.
Sipas prokurores, pas administrimit të provave të propozuara nga prokuroria dhe pala mbrojtëse ka ardhur në përfundim se në këtë rast nuk ka vepër penale, por sipas saj, kjo çështje më shumë ka të bëjë me një rast civilo- juridik që duhet të zgjidhet në një gjykatë kompetente.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Kurrumeli, avokati Hasan Rexha, e ka përshëndetur veprimin e prokurores për të hequr dorë nga akuza që e ngarkonte klientin e tij.
Në seancën e mbajtur më 30 nëntor të këtij viti, i akuzuari Kurrumeli, kishte mohuar se ai ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, raporton Betimi për Drejtësi.
Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë ish-kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, Shefqet Morina dhe Mehdi Kurrumeli, e cila i ngarkonte se nga 2 tetori i vitit 2008 e deri në ditën e ngritjes së aktakuzës, kanë refuzuar të zbatojnë aktvendimin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës për pronën e paluajtshme prej 4 hektarësh, 6 arësh e 82 metrash, duke u shkaktuar dëm Jup e Rexhep Hasit, ndërsa përfitim të paligjshëm Komunës së Drenasit.
Sipas aktakuzës, Mehdi Kurumeli akuzohet në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi, Kadastër e Pronë në Komunën e Drenasit, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, në mënyrë që ka refuzuar ta zbatojë aktvendimin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, me të cilin është obliguar që Kadastri të bëjë regjistrimin e të drejtave mbi pronën e paluajtshme në sipërfaqe prej 4 hektarë e 6 ari e 82 metra.
Agjencia Kadastrale e Kosovës, më 2 tetor 2008, e kishte obliguar këtë drejtori që këtë pronë t’ua regjistrojë në emër të tyre të dëmtuarve Jup e Rexhep Hasit. Këta të fundit, këtë pronë e kishin fituar në gjykatë në vitin 1998, pasi pretendonin se atë më herët ua kishte marrë shteti.
Por, Kuvendi Komunal i Drenasit kishte marrë një vendim që derisa të mos kthehen librat e pronave të marra nga shteti serb, të mos ua njohë personave privatë pronësinë mbi tokat që më parë ishin shoqërore.
Lidhur me këtë, ishte ngritur aktakuza dhe pas seancave gjyqësor, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 7 tetor 2015, kishte shpallur aktgjykimin e saj duke e shpallur fajtor ish-kryetarin e Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, të cilin e kishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim efektiv.
Kjo gjykatë, gjithashtu aktgjykim dënues kishte shqiptuar edhe ndaj Mehdi Kurrumelit, i cili ishte dënuar me një vit burgim, kurse ishte liruar nga akuza Shefqet Morina.
Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 25 mars 2016, pas ankesave të bëra ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kishte marr një aktgjykim me të cilin e kishte liruar nga akuza ish-kryetarin Nexhat Demaku dhe kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë për të akuzuarin Shefqet Morinën.
Po me të njëjtin aktgjykim, Gjykata e Apelit kishte aprovuar pjesërisht ankesën e mbrojtësit të Mehdi Kurrumelit, duke e anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim dhe rivendosje.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)