Aktuale
Ende pa u bërë publike kompanitë fituese, tregohet kur fillon Autostrada për Gjilan
Ministria e Infrastrukturës (MI) do të vazhdojë të investojë në infrastrukturën rrugore të Kosovës edhe në vitin 2018. Njëri ndër prioritetet kryesore të MI-së, është vazhdimi i ndërtimit të Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, e cila pritet të përfundojë në fund të vitit 2018.
Zëvendësministri i Infrastrukturës Rexhep Kadriu , bëri me dije se në buxhetin e Kosovës për vitin 2018 për të cilën sot do të vazhdojë seanca e Kuvendit të Kosovës, nuk pret që të ketë ndonjë ndërrim të madh.
“Presim të votohet ky buxhet. Ka pasur shumë kërkesa për investime në rrugë. Të gjitha grupet parlamentare dhe deputetët anojë ka komunat e tyre”, tha ai sot ( e mërkurë) në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Kadriu i cili vjen nga Gjilani tha se Autostrada për Gjilan do të ndërtohet.
“Vija buxhetore për Autostradën e Gjilanit është ndarë. Janë ndarë mbi 1 milion euro. Në shkurt të vitit të ardhshëm do të fillojmë punët për Autostradën e Gjilanit”, tha ai.
Kadriu jep afat kohor se kur do të filloj ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Gjilan, mirëpo nuk dihet se cila kompani do merret me këto punime. Të paktën ende nuk ka asgjë zyrtare, veç dokumenteve dhe lajmeve të publikuara nga mediet, por jo edhe nga Ministria.
Rikujtojmë, se Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), muaj më parë ka anuluar dhënien e këtij tenderi që ishte bërë nga ish-minsitri Lutfi Zharku, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Deri te anulimi erdhi meqë Ministria e Infrastrukturës nuk kishte marr parasysh asnjërin nga Ligjet e Prokurimit Publik (LPP).
E nënshkrimi për dhënie të këtij tenderi ishte bërë në orët e vona, ku nuk kishin mbetur as 24 orë kur do të bëhej dorëzimi i postit të Ministrit të Infrastrukturës. Post ky që do kalonte tek ministri aktual, Pal Lekaj, i cili vie nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Parti kjo nga e cila vjen edhe zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.