Aktuale
Kërkohet precizimi i padisë kundër Komunës së Prishtinës në rastin për vërtetim pronësie
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/12/gjykata.jpg)
Duke e konsideruar si të mangët, gjykatësi Adnan Konushevci, në seancën e së martës, i ka dhënë afat prej tre ditësh palës paditëse, që të bëjë precizimin e padisë në rastin për vërtetim pronësie, ku e paditur është Komuna e Prishtinës.
Paditësit Florim dhe Lume Canolli, në korrik të vitit 2008, e kanë paditur Komunën e Prishtinës, për vërtetim të pronës, pasi sipas tyre, prona e trashëguar nga babai i tyre ishte e regjistruar gabimisht në emër të dikujt tjetër.
Pas vërejtjeve që i janë bërë në padi, për shkak të mungesës së të dhënave, përfaqësuesi i paditësve, avokati Ali Latifi, ka kërkuar afat që të bëjë precizimin e kësaj padie, me ç’rast është aprovuar ky propozim i tij.
Ndryshe, gjatë seancës të së martës, avokati Latifi tha se paditësit kishin ardhur te prona me kontratën e shitblerjes në vitin 1956, pasi të njëjtën e kishin trashëguar sipas vendimit të trashëgimisë nga pronari i atëhershëm Bejë Canolli, tek pasardhësit e tij, Florim dhe Lume Canolli, shkruan Betimi për Drejtësi.
“Pas vitit 1976, pas vdekjes së Bejë Canollit, prona kalon në pronësi të fëmijëve të tij, trashëgimtarëve Florim dhe Lume Canolli, me aktgjykim të Gjykatës Komunale në Prishtinë më 6 mars 2008. Familja e Bejë Canollit, e ka shfrytëzuar atë pronë pa pengesë dhe janë sjellë si pronarë duke mos u penguar nga askush deri në vitin 2010. Gjatë kësaj periudhe pasardhësit e Bejë Canollit kanë kryer të gjitha obligimet ligjore ndaj komunës e këtë e vërtetojmë me pagesat tatimore financiare”, tha avokati Latifi.
Padinë dhe kërkesëpadinë e kundërshtoi si të pabazuar, përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës, Qazim Qunaku. Sipas tij, e paditura Komuna e Prishtinës ishte pronare e ligjshme e patundshmërisë lëndore dhe se kjo patundshmëri ishte vërtetuar nga organi kompetent duke e fituar të drejtën e pronësisë.
“Duke u bazuar në këtë fakt konsiderojmë së është i paqëndrueshëm pretendimi i paditësve se patundshmëria lëndore është pronë e tyre në bazë të aktvendimit për trashëgiminë. Siç shihet patundshmëria lëndore është eksproprijuar që nga viti 2008 dhe sot edhe në regjistrin kadaral është pronë e komunës. Prandaj, nuk ka bazë juridike dhe as logjike që kjo patundshmëri të jetë pjesë e masës trashëgimore në vitin 2008 në mes të paditësve”, tha përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës.
Seanca e radhës është caktuar për 11 janar 2018, në ora 11:00.
Paditësit Florim dhe Lume Canolli, kishin paditur Komunën e Prishtinës për vërtetim pronësie, më 17 korrik 2008.
Babai i paditësve, Alush Canolli e ka pasur në pronësi dhe në posedim ngastrën më numër 7643, në të cilën ka të ndërtuara shtëpi para 15 vjetësh. Mirëpo, për shkak të regjistrimit të gabuar të ngastrës 7642 në emër të Hasim Begollit, i cili e kishte në posedim ngastrën 7641, e cila pas ndarjes në vend që të shënohet 7641/2 i është dhënë numrin 7642.
Sipas padisë, dy paditësit Canolli, nuk janë në dijeni se si kishte ardhur deri te gabimi i regjistrimit te këtyre ngastrave, prandaj të njëjtin kishin ushtruar padi për shkak se pretendonin se kishin legjitimitet aktivë si trashëgimtarë të Alush Canolli.
Paditësit më anë të padisë kërkojnë që shërbimi kadastral të bëjë përmirësimin në librat kadastaral dhe prona në fjalë, të regjistrohet në emër të tyre.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)