Aktuale
“Demokracia Studentore” thotë se nuk mund të lejojnë funksionalizimin e kishës në kampusin e UP-së
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/11/Kisha-.jpg)
Organizata “Demokracia Studentore” po vazhdon të kërkojë përjashtimin e trupit gjykues të Gjykatës së Apelit, që vendosi që objektit i cili ishte vendosur me dhunë në oborrin e Kampusit të Universitetit të Prishtinës t’i takojnë rreth 4 hektarë tokë.
Kjo organizatë do të organizojë peticion me studentët e Universitetit të Prishtinës për të përjashtuar këtë trupë gjykues, peticion ky i cili do të fillojë javën e ardhshme, bëhet me dije në një komunikatë për media.
“Vendimi që është marrë nga Gjykata e Apelit është vendim që po dëmton rëndë si Universitetin e Prishtinës ashtu edhe tërë kombin tonë. Është e paperceptueshme se si mund t’i jepen 4 hektarë një objekti fetar edhe atë kishës ortodokse serbe që është ndërtuar me dhunë nga forcat serbe. Ky vendim duhet medoemos të shfuqizohet dhe ajo tokë t’i takojë Universitetit”, ka thënë Mexhid Ramusa nga Organizata “Demokracia Studentore”.
“Ne do të vazhdojmë nga java e ardhshme duke filluar me peticion për të kërkuar përjashtimin e trupit gjykues të Gjykatës së Apelit. Ky peticion do të nënshkruhet nga studentët e Universitetit të Prishtinës dhe do t’ia dorëzojmë Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe nëse nuk përjashtohet ky trup gjykues ose nuk shfuqizohet ky vendim ne do t’i përdorim të gjitha format e mundshme deri sa ajo tokë t’i rikthehet Universitetit të Prishtinës. Nuk mund të pranojmë që objekti i cili është ndërtuar me dhunë nga forcat serbe të jenë funksionale”, ka thënë tutje ai.
![Image](https://www.koha.net/uploads/koha.net/images/2017/December/02/auto_24205079_1918578644822184_839609092_n1512221445.jpg)
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)