Featured
71 milionë euro kredi për segmentin e autostradës Kijevë-Zahaq
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/12/auto_01autos1512128102.jpg)
Për përfundimin e Autostradës Prishtinë – Pejë, segmentin Kijevë-Zahaq, Qeveria planifikon të përdorë një kredi 71 milionë eurosh. Në mbledhjen e sotshme Qeveria i rekomandoi presidentit të Kosovës që të autorizojë ministrin e Financave për lidhjen e marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, transmeton Koha.net.
Në njoftimin për media të Qeverisë bëhet e ditur se kjo kredi do të përdoret për financimin e segmentit të autostradës Kijevë-Zahaq (rreth 24 kilometra e gjatë). Kredia kap shifrën prej 71 milionë euro dhe do të shlyhet me 24 këste të barabarta, nga dy për çdo vit. Data e fundit e shlyerjes së kredisë do të jetë 30 tetori 2032, thuhet në njoftim.
Një pjesë e Autostradës Prishtinë-Pejë ka përfunduar, por ritmi i ndërtimit të saj ka qenë shumë i ngadaltë, për pasojë komunikacioni në pjesën e papërfunduar është zhvilluar me vështirësi. Kjo autostradë përbën korridorin kryesor të lidhjeve me rrugë midis Kosovës e Malit të Zi. Pasi të ndërtohet rruga që do të lidhë Deçanin me Plavën, qarkullimi midis dy vendeve do të lehtësohet ndjeshëm.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)