Aktuale
Miratohet raporti i BQK-së
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/11/BQK.jpeg)
Kuvendi i Kosovës ka miratuar raportin e Bankës Qendrore për vitin 2016. Për kanë votuar 67 deputetë, 10 kundër dhe një abstenim.
Para votimit deputetët kanë diskutuar duke dhënë vlerësimet e tyre në lidhje me raportin. Me këtë rast deputeti i LDK-së Lumir Abdixhiku që është njëherësh edhe kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa,tga se në bazë të të dhënave të paraqitura në raport shihet se në vitin 2016 ekonomia e Kosovës u karakterizua me rritje të aktivitetit ekonomik kundrejt vitit paraprak, raporton kp.
Sipas vlerësimeve të BQK-së norma reale e rritjes së bruto-produktit vendor ishte 3.4 për qind në vitin 2016.
“Rritja ekonomike në vitin 2016 u mbështet nga rritja e kërkesës së brendshme, përderisa neto eksporti ndikuan negativisht në normën e rritjes ekonomike. Rënia e vlerës së eksportit dhe rritja e vlerës së importit rezultoi me zvogëlimin e shkallës së mbulueshmërisë së importeve me eksportin në 11.1 për qind. Vlera e remitencave në vitin 2016 ka arritur në 691 milionë euro, ka rritje vjetore prej 3.8 për qind. Kategoria e investimeve të huaja në vitin 2016 ishte 219 milionë euro që paraqet nivel me të ulët krahasuar me vitin paraprak që kishte 308.8 milionë euro”, tha Abdixhiku
Deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj,tha se s ipas vlerësimeve të BQK-së, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 4.1 për qind si shkak i rritjes së konsumit prej 3 përqind dhe rritjes së investimeve për 9.1 për qind.
Sipas raportit aktivitetet kredi dhënëse të sektorit bankar kanë pasur ndikim në financimin e rritjes së aktivitetit të sektorit privat. Rritja ekonomike gjatë vitit 2016 ishte edhe si rezultat i rritjes së vlerës së shtuar të aktivitetit në sektorin e bujqësisë, tregtisë dhe aktiviteteve financiare.
“Në Kuvendin e Kosovës kemi miratuar ligjin për sigurimin e detyrueshëm të përgjegjësisë në vitin 2011 me procedurë të shpejtuar për të krijuar kushtet që të vijmë deri të kartoni i gjelbër. Ende nuk u krijuan mundësitë që të sigurohet kartoni i gjelbër dhe kompanitë e sigurimeve vazhdojnë të rrisin përfitimet e tyre derisa diaspora jonë vazhdon të dëmtohet edhe me tutje. Është më se e domosdoshme që të rritet angazhimi që të gjendet zgjidhja për këto dy çështje të ndjeshme për qytetarët e Kosovës”, u shpreh Hadërgjonaj.
Deputeti Dardan Sejdiu nga Vetëvendosje, tha se i japin mbështetje këtij raporti, pasi në mënyrë të saktë paraqet sektorin që BQK rregullon.
“Raporti i BQK-së paraqet në mënyrë të saktë sektorin që e rregullon, porse shpërfaq edhe nevojën për një qasje më aktive sa i përket orientimit dhe kredi dhënies që japin bankat. Raporti paraqet në mënyrë të saktë dhe të mirë sektorët të cilët i rregullon kjo bankë. Ne si grup do ta përkrahim këtë raport”, theksoi Sejdiu.
Ministri i Financave Bedri Hamza sqaroi se për të qenë anëtare e kartonit të gjelbër duhet që Kosova të jetë anëtare e OKB-së, kusht ky që Kosova ende se ka plotësuar.
“Për kartonin e gjelbër nuk kam qëllim që tash si ministër të dal në rolin që nuk më takon por për kartonin e gjelbër është përgjegjës Byroja e Sigurimeve. Për t’u anëtarësuar në kartonin e gjelbër dhe me qenë anëtare e di që Zvicra nuk ka qenë anëtare e OKB-së dhe është anëtarësuar por ajo është një shtet tjetër, një rast tjetër që dallon nga shtetet tjera. Kosova këtë kusht legal nuk e ka plotësuar. Kemi tentuar përmes Shqipërisë, por ka probleme, telashe në raport me Byronë Evropiane të kartonit të gjelbër dhe nuk është pranuar. Është tentuar përmes Sllovenisë prapë një gjë e tillë nuk është mundur të arrihet”, tha Hamza.
Deputeti Faton Topalli, tha se proteston fuqishëm në Kuvend për plaçkitjen e mërgimtarëve me polisat e sigurimeve, duke mos qenë pjesë e kartonit të gjelbër. Sipas tij, edhe pa qenë anëtare e OKB-së, Kosova ka mundur të ketë kartonin e gjelbër.
“Rasti i kompanive të sigurimeve, implikimi i politikës, i familjeve të fuqishme në krimin me të madh të pasluftës, heshtjes së Autoritetit të konkurrencës dhe departamentit të Konsumatorit në MTI dhe inkriminimi i vetëdijshëm apo i pavetëdijshëm i BQK-së fletë se sa thellë i ka futur rrënjët krimi dhe sa shumë është i përshirë gjithë sistemi ynë në të. Sot në emër të 800 mijë mërgimtarëve protestoj para këtij Kuvendi për trajtimin dhe plaçkitjen që u bëhet mërgimtarëve për polisat e sigurimit. Protestoj kundër të gjitha atyre institucioneve që janë përgjegjëse për ta zgjidhur këtë çështje dhe nuk kanë marrë asnjë hap deri me tani për ta zgjidhur. Mos na gënjeni as ne as opinionin publik se nuk e kemi kartonin e gjelbër për shkak se nuk jemi pjesë e OKB-së. Zvicra është bërë anëtare e OKB-së tek në vitin 2002, derisa kartonin e gjelbër ka shumë dekada më herët që është përdorur nga Zvicra”, theksoi Topalli.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)