Aktuale
Ministri Lluka: “Kosova e Re” me kosto më të ultë sesa është planifikuar
Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) organizoi konferencën ndërkombëtare për zhvillim të qëndrueshëm.Konferenca kishte për fokus politikat e Kosovës për energji dhe ato mjedisore, si dhe në qasjet për avancimin e një agjende për zhvillim të qëndrueshëm të harmonizuar me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, tha se prioritet i tij është përfundimi i termocentralit “Kosova e Re”, por me një kosto më të ultë.
Ngase sipas ministrit kjo është e papërballueshme për buxhetin e vendit. Rreth 1 miliard euro ishte parashikuar që të kushtonte ky projekt, raporton Ekonomia Online.
“Momentin që kam ardhur në MZhE, gjëja e parë që kamë bërë të rishikojë kushtet e kontratës aktuale që të zbatohet projekti për termocentralin ‘Kosova e Re’. Projekti është relativisht i shtrenjtë për ne, por i domosdoshëm për furnizimin të energjisë, pasi kemi probleme të panumërta dhe termocentralet aktuale janë ndotës të ambientit. Një termocentral si ‘Kosova e Re’ është i domosdoshëm që të mundohemi ta bëjmë ata termocentral më të mirë dhe më të lirë”.
“Ne do ta qojmë përpara termocentralin ‘Kosova e Re’ jo me kosto të lartë. Jemi duke negociuar për këtë punë dhe jo të përdorët teknologjia e shtrenjtë, po një teknologji efiçiente. Mbyllja e ‘Kosovës A’ që është ndotës i madh dhe rehabilitimi i ‘Kosovës B’ nuk do të jetë problem. 50-70 megavatë do t’i shtojmë në energji solare pasi që ka mjaftueshëm. Primare është të kemi siguri të energjisë furnizim stabil dhe treg të përbashkët më Shqipërinë për optimizmit e prodhimit të energjisë”, theksoi Lluka.
Irina Lazzerini, nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, theksoi se Kosova ka mungesë të burimeve të ripërtërishme dhe se nevojitet mobilizim në këtë aspekt. Sipas saj, më e rëndësishme është financimi në burime të ripërtërishme sesa në ndërtimin e termocentraleve të reja.
“Duhet të shqyrtojmë që ndërlidhet me është e logjikshme të kemi termocentrale të reja të bazuara në qymyr me kushtin qe të jenë asete shtesë. Kjo është që po bëhet në nivel të Bashkimit Evropian. A është e logjikshme të ndërtohet diçka 2023, që do ta ketë jetëgjatësinë vetëm 20 vjet”.
“Fatkeqësisht nuk ka në Kosovë burime të energjisë së ripërtërishme dhe kjo është një problematikë në vete. Duhet bërë më shumë për burimet e ripërtërishme, burimi i termocentralit të ri duhet të rishikohet, të rishikohet plani i veprimit për energji të ripërtërishme dhe arritja e objektivave deri në vitin 2020″.
Marco Mantovanelli, nga Banka Botërore (BB), tha se gjendja në Kosovë për dallim të vendeve tjera është më pak stabile sa i përket furnizimit me energji.
“Tema e diskutimit është bërthama e misionit të BB-së. Ne mbesim financuesi më i madh i energjisë së ripërtërishme. Në rajon vërejmë sfida karakteristike. Pasi kam kaluar një kohë në Kosovë, sfidat këtu janë më të theksuara. Zgjidhjet që ofrohen duhet të marrin parasysh këtë fakt. Ne jemi zotuar se mund të ketë ritme dhe shpejtësi, të gjejmë zgjidhje që i nevojiten vendit. Rajoni përballet me mungesë të investimeve, me infrastrukturë të energjisë që është e vjetruar”, tha Mantonavelli.
“Derisa 97% e gjenerimit të energjisë varet nga dy termocentralet, çështja është si t’i financojmë këto alternativa duke marrë parasysh kërkesat e konsumatorit. 97% e gjenerimit varet nga ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’, gjë që nuk gjendet ne rajonet e tjera. Tjetër është miksi i kufizuar i përfitimit të energjisë, e cila përfitohet vetëm prej qymyrit. 59% e rajonit kanë rrymë prej gjenerimit të qymyrit. E dimë që qymyri nuk është energjia më e pastër dhe qymyri ka pengesat e veta”.
“Ne si BB jemi duke investuar në rajon, për të larguar varshmërinë prej qymyrit, dhe si të merremi me përmirësimet e efikasitetet e energjisë. Tema tjetër është integrimi rajonal, i cili ka përparësi dhe avantazhe. Kosova mund të përfitojë nga integrimi i madh rajonal, por integrimi në tregje rrit dhe konkurrencën”, shtoi shefi i BB-së në Kosovë.
Kjo është konferenca e gjashtë me radhë e organizuar nga KOSID e cila do të shërbejë si platformë diskutimi për politikë bërësit, shoqërinë civile dhe ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtarë, për të krijuar baza të përbashkëta në rrugën e Kosovës për zhvillim të energjisë dhe dekarbonizim.