Featured
Objekti shumë funksional, ndër të paktat që i shpëtoi rrënimit në Gjilan
Është ndër objektet e pakta publike të vjetra në qendër të Gjilanit që ka shpëtuar pa u rrënuar. Ndërtesa e ish-Teknikës Popullore ka kryer shumë funksione dhe tani konsiderohet si objekt me vlerë të madhe historike, artistike dhe shoqërore për komunitetin dhe historinë e Gjilanit, shkruan Ndërtimi.info
Ky objket që saktësisht gjendet përballë postës së sotme, është ndërtuar nga familja e Petar Todoroviqit, në vitet 1934/35. Është e ndërtuar në dy etazhe, përdhese dhe kati i parë dhe është e mbuluar me kulm katër ujor. Fasada ballore është e trajtuar me elemente neoklasike, ku vlen të theksohet balli i epërm i cili e mbulon kulmin, dhe është i trajtuar me dekorime me forma gjeometrike harkore. Muret e jashtme të objektit janë punuar vetëm me tulla, ndërsa ato të brendshme veç tullave kanë edhe hatulla a breza prej druri si elementë konstruktivë. Një formë e këtillë e punimit të murit është quajtur bondruk. Muret e jashtme arrijnë trashësinë 35 cm.
Prej periudhës kur është ndërtuar e deri më sot, ky objekt ka pasur funksione të ndryshme. Në vitin 1945 kalon në pronësi të komunës dhe shfrytëzohet si Gjykatë Komunale e qytetit.
Pas ndërtimit të objektit të ri të Gjykatës së Gjilanit, kjo ndërtesë dedikohet për zhvillimin e aktiviteteve të shoqatave të qytetit. Gjatë viteve 1960 – 1970 këtu kanë vepruar: Shoqata e Gjuetarëve, e Kryqit të Kuq, e Auto Motos, Shoqata e Radioamatorëve, Shoqata e Fotografëve etj.
Në vitin 1960 në këtë objekt është vendosur televizori i parë që është shikuar nga ballkoni nga ana e qytetarëve. Në vitin 1971 për herë të parë fillon transmetimin provues Radio Gjilani. Më 12 shkurt 1965 objekti është djegur dhe kanë mbetur vetëm muret e jashtme. Objekti është rinovuar në vitin 1968. Sot shfrytëzohet për mbajtjen e aktiviteteve të Shoqatës për Edukim Teknik.
Në fund të vitit 2013, këtij objekti i është bërë një intervenim emergjent nga MKRS, ChWBe QRTK e Gjilanit.