Aktuale
Për institucionet e vendit, gjetjet në shpellën e Kaçanikut nuk kanë vlerë
Në fund të shtatorit në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, regjioni i Kaçanikut, banorët e fshatit Izhancë e Semajë hasën në një shpellë. Kjo bëri që punimet në autostradën “Arbën Xhaferi” të pushojnë në këtë pjesë.
Shkëndije Ahmeti
Por, pas dy muajve Komisioni Ndërministror i udhëhequr nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe me pjesëmarrje të Institutit për Mbrojtje të Natyrës (IMN) dhe Shërbimit Gjeologjik të Kosovës, bazuar në gjetjet e shpellës potenciale vlerësojnë se këto gjetje nuk përbëjnë ndonjë vlerë, raporton Ndërtimi.info
Drejtori i Komisionit të Pavarur të Minierave dhe Mineraleve, Ramiz Krasniqi përmes një përgjigje elektronike për Ndërtimi.info ka treguar se aty janë gjetur disa stalaktite dhe stalagmite të cilat në brendi të shkëmbit shkojnë duke u mbyllur.
E për të cilat siç tha ai këto gjetje nuk ofrojnë elemente të mjaftueshme për ekzistencën e një shpelle mermeri.
“Raporti përfundimtar është se për lokacionin në fjalë duke u bazuar në literaturën që posedojmë, ndërtimin gjeologjik të terrenit, në të gjeturat e deri tanishme etj, nuk ka elemente për ekzistimin e një shpelle e cila do të ishte me interes për vendin, por rekomandohet që gjatë shfrytëzimit të gëlqerorëve të gjithë ata që punojnë në këtë vend shfrytëzim, që nëse hasin në çfarëdo hapësire gjatë shpimit apo edhe shfrytëzimit të njoftojnë organet kompetente dhe të respektohen të gjitha ligjet në fuqi”, ka potencuar Krasniqi.
Edhe zyrtari i lartë për Komunikim me Publikun dhe Ndërgjegjësim Mjedisor, Bajram Kadriu, po thotë se gjetjet në brendi të këtyre gëlqerorëve nuk ofrojnë elemente të mjaftueshme e cila do të shpallej si Zonë e Mbrojtur.
“Të gjitha të dhënat e gjetura nuk ofrojnë elemente të mjaftueshme se në brendi të këtyre gëlqerorëve vazhdon një Shpellë Mermeri e cila do të ishte me interes në nivel vendi dhe e cila do të shpallej si Zonë e Mbrojtur”, thotë Kadriu.
E për këtë vendim gjatë ditëve të kaluara ka reaguar Organizata Joqeveritare “Gjethi”, ku konsideron se një vendim si ky nuk është i drejtë.
“OMM ‘Gjethi’ konsideron se nuk është vepruar drejt në këtë rast duke i dhënë prioritet ndërtimit të autostradës dhe jo ruajtjes së vlerave të mirëfillta të vendit tonë, që gjithashtu mund të shfrytëzoheshin për zhvillim”, thuhet në reagimin e OJQ-së.
Tutje në reagim u shpreh shqetësimi se kësaj organizate nuk i është dhënë një kopje nga raporti përfundimtar i Komisionit”
“Inspektorati i MMPH-së tanimë ka lejuar vazhdimin e punëve dhe sipas informacioneve aty është shkatërruar gjithçka. Në të njëjtën kohë, ‘Gjethit’ nuk iu dha një kopje e raportit përfundimtar të Komisionit, edhe pse kërkuam një të tillë nga IMN-ja dhe Inspektorati i MMPH-së”, thuhet në reagim.
Por, ndryshe po del të jetë në përgjigjen e Komisionit. Përfaqësuesi i kësaj të fundit thotë se askush nuk i ka kërkuar një kopje të këtij raporti.
“Nuk është njoftuar sepse nga ne askush nuk ka kërkuar diçka të tillë, gjithashtu raporti është punuar nga përfaqësuesit ndërinstitucional: Komisionit të pavarur për Miniera dhe Minerale, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik – Shërbimi Gjeologjik”, tha Krasniqi për Ndërtimi.info
Ndryshe, më datën 28 Shtator 2017 banorët e rrethinës së fshatrave Izhancë dhe Semajë kanë hasur në një shpellë, që e kanë parë rastësisht gjatë punimeve të Bechtel Enkas. Feriz Deda menjëherë ka njoftuar OMMGJ-në për gjetjen e tyre dhe aktivistët tanë kanë shkuar në vend dhe e kanë konstatuar gjendjen.
Që zbuluan një shpellë, banorët përmes një e-maili patën njoftuar edhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).
Inspektorati i MMPH-së me dt. 28.09.2017 së bashku me Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës (IKMN), kishin dalë në teren për të pare gjendjen për se afërmi dhe në bazë te shenjave – zgavrave speleologjike supozohet se mundë të ekzistojë shpellë dhe me procesverbal nr. 17-INS-P-30-VS-06, dt. 28.09.2017 Inspektorati i MMPH-së ka urdhëruar operatorin “Ajani” Sh.P.K qe të ndaloj operimin në këtë vendburim derisa ta jap mendimin profesional IKMN.
Me kërkesë të KPMM-së është formuar një komision ndërministror (MMPH,KPMM dhe SHGJK) të cilët me datë 03/10/2017 kanë dalë në inspektim të përbashkët në teren.