Connect with us

Aktuale

Paga mesatare, e pamjaftueshme

Published

on

Brenda katër vjetësh, paga mesatare bruto në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ka shënuar rritje për 20 për qind.

Në vitin 2012, paga mesatare bruto në Kosovë (përfshirë këtu pagat në sektorin publik, privat dhe publiko – privat), sipas ASK-së ishte 431 euro, derisa në vitin 2016 ishte 519 euro që paraqet një rritje prej 88 eurosh.

Niveli i pagave më të larta në Kosovë ishte në sektorin e ndërmarrjeve publike, derisa me paga më të ulëta ishte sektori privat.

“Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 euro, derisa në vitin 2016 ishte 525 euro, duke u rritur për 118. Sektori privat, në vitin 2012 kishte një pagë bruto mesatare prej 367 eurosh, kurse në vitin 2016 kishte 371 euro, që u rrit me vetëm 4 euro”, thuhet në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se pagat që ata marrin, nuk i përmbushin nevojat e familjeve të tyre.

Idriz Ahmeti thotë se me të ardhurat mujore prej rreth 400 eurosh sa ai merr, nuk arrin t’i përmbushë nevojat e familjes së tij katëranëtarëshe.

“Me pagën që unë marr, nuk arrij t’i plotësoj nevojat e familjes sime. Çmimet janë të larta derisa nevojat për një familje janë të mëdha. Me këtë pagë është e pamundur të arrish t’ia dalësh deri në fund të muajit”, thotë ai.

Ngjashëm shprehet edhe Safet Mejzini:

“Me pagën që unë marr, e me të cilën e mbaj vetëm veten, nuk arrijë t’i përmbushi të gjitha nevojat që ka një person. Çmimet në tregun e Kosovës janë të larta”.

Ndërkohë, edhe Naim Gashi, ekspert i çështjeve ekonomike, thotë për Radion Evropa e Lirë se paga mesatare prej 500 eurosh është e pamjaftueshme për standardin e qytetarëve në Kosovë.

“Sa i përket shportës së konsumatorit, rritja e pagave duhet të shkojë proporcional me inflacionin që është në Kosovë dhe me çmimin e mallrave dhe shërbimeve që janë në tregun e Kosovës. Paga mesatare mbi 500 euro nuk është e mjaftueshme për standardit jetësor të qytetarëve të Kosovës për faktin se 40 për qind e mallrave në Kosovë importohen nga Bashkimi Evropian, janë çmime të BE-së, derisa pagat e Kosovës janë të papërballueshme për çmime të tilla”, vlerëson Gashi.

Ai thotë se Kosova ka nevojë për një nxitje edhe më të madhe të zhvillimit ekonomik pasi që, sipas Gashit, vetëm përmes rritjes afatgjatë ekonomike mund të rritet niveli i pagave, të ardhurat kombëtare në përgjithësi, produkti i brendshëm bruto dhe të përmirësohet bilanci tregtar.

“Nëse të gjitha këto ndodhin, atëherë vetvetiu do të rriten pagat në Kosovë dhe do të përmirësohet standardi jetësor i qytetarëve”, thotë Gashi.

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se në bazë të hulumtimeve që ata kanë bërë, pagën mesatare në Kosovë e kanë rritur pagat e larta të zyrtarëve në institucionet e Kosovës, që marrin rrogë deri në 5000 euro.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë se janë një numër i konsiderueshëm i punëtorëve që marrin paga nën 200 euro.

Sipas tij, paga mesatare mbi 500 euro mund të jetë matje reale, por jo e arsyeshme.

“Realisht, nëse përfshihen këtu disa organizata buxhetore që kanë paga të mëdha dhe ata punëtorë që marrin paga më pak se 229 euro pagë mesatare, po ashtu kemi mbi 60 mijë persona që marrin pagë minimale nga 130 apo 170 euro, kjo pagë mesatare mbi 500 euro është matje reale, por jo e arsyeshme”, thotë Shahini.

Te paga mesatare bruto në Kosovë nga 9 vende, që janë marrë si mostër (Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi, Bosnje e Hercegovinës, Bullgarisë, Rumanisë dhe Moldavisë), Kosova pozicionohet e katërta për nga lartësia e pagave.

Paga mesatare bruto më e larta është në Malin e Zi me 751 euro, derisa më e ulëta është në Moldavi me 271 euro.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending