Aktuale
Kosova kritikohet nga FMN-ja, neglizhenca në pyetje
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/11/IMF.jpg)
Qeveria e tanishme ka vendosur përfundimisht të mos ngutet me bashkimin e dy agjencive kryesore që e mbushin buxhetin Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës, megjithëse në agjendën legjislative ishte paraparë që projektligji të jetë i gatshëm deri më 25 nëntor.
Një bashkim të tillë për një kohë kaq të shpejtë e ka bërë të paqartë edhe një mendim i dhënë nga ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, raporton KTV.
Ekspertët e FMN-së kishin qëndruar në Administratën Tatimore të Kosovës për të parë nëse kjo agjenci mund të jetë e gatshme që t’i nënshtrohet procesit të bashkimit me doganën.
Në dokumentin që e ka siguruar KTV-ja, ekspertët e këtij institucioni kanë dhënë një numër detyrash për ATK-në, rrjedhimisht Ministrinë e Financave që t’i kryejë para se të nisë procesi i bashkimit.
Raporti i FMN-së kërkon ndërmarrjen e menjëhershme të masave për largimin e joefikasitetit në strukturën organizative dhe rishikim të mëtejshëm të rrjetit të terrenit, krijimin e një sistemi efektiv të menaxhimit të performancës bazuar në rezultate.
Pastaj menaxhimi i rrezikut të pajtueshmërisë me të cilin duhet të sigurohet besimi se burimet e ATK-së përdoren në mënyrë efikase për të maksimizuar përputhjen e taksave.
Zyrtarë të Ministrisë së Financave thonë se këto masa do të nisin t’i ndërmarrin nga janari i vitit të ardhshëm bashkë me bashkimin e disa departamenteve.
Nga ana tjetër, përfaqësues të bizneseve thonë të mos jenë konsultuar ende për procesin e bashkimit, për të cilin kërkojnë kujdes të shtuar.
Qeveria e kaluar kishte planifikuar që të bashkonte dy organizatat nga janari i 2017-s, mirëpo FMN-ja edhe atëherë kishte sugjeruar që një proces i tillë të mos niste të paktën deri në vitin 2018, por me gjithë përpjekjet dhe premtimet, procesi i bashkimit nuk u realizua.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)