Aktuale
Vitia kërkon nga Qeveria që të merr masa në ndërtimin e shkollës në Pozheran
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/11/21_11_2017_3286869_viti.jpg)
Po bëhen një vit kur kanë filluar punimet për ndërtimin e shkollës fillore “Halil Alidema” në Pozheran.
Por, punimet kanë ngecur që nga ditët e para kur ka filluar së realizuari ky projekt.
Ndonëse është projekt me të cilin ka proceduar Ministria e Arsimit në bashkëpunim me atë të Ministrisë së Administratës Publike, kompania kontraktuese për ndërtim, vetëm ka bërë hapjen e një grope, e cila ka mbetur e tillë dhe nuk është punuar asgjë, transmeton InfoKomuna.
Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, sot së bashku me qeverinë komunale, këshillin e fshatit, këshillin e prindërve dhe me qytetarët e Pozheranit, kanë vizituar vendin ku do të duhej të ishte ndërtuar objekti i ri i shkollës fillore.
Kryetari Haliti, i ka bërë thirrje institucioneve qendrore që të shqyrtojnë gjitha mundësitë që ky projekt të fillojë së realizuari.
Në emër të institucioneve lokale ai i ka dhënë ultimatum kompanisë kontraktuese që të fillojnë me punë që nga nesër, në të kundërtën do të reagohet në mënyra të tjera.
“…kërkojmë nga ministria kompetente dhe nga kompania kontraktuese për ndërtimin e objektit të ri të shkollës, që të fillojnë me planin dinamik ngase jemi të brengosur që punët kanë ngecur shumë. Kjo ngecje është e pajustifikueshme dhe e paarsyeshme. Ne kemi pritur deri të kryhen zgjedhjet lokale, prandaj sot jemi këtu që të shfaqim brengën dhe të kërkojmë që plani dinamik i realizimit dhe ndërtimit të shkollës “Halil Alidema” të filloj qysh nesër”, tha ai.
Ai ka kërkuar nga ministri i Administratës Publike, Mahir Jakgjilar që të marrë masa ndaj kompanisë kontraktuese.
“Ne si Institucione kemi proceduar gjithë dokumentacionin e nevojshëm tek Ministria e Arsimit, e cila mandej ka bartë mjetet dhe kompetencat tek Ministria e Administratës Publike. Andaj kërkojmë nga ministri Mahir Jakgjilar që të merren masa edhe ndaj kompanisë, e cila nuk ka vazhduar punimet, pos hapjes së një grope e cila vetëm po shkakton rrezik edhe për qytetarët edhe për nxënësit e kësaj shkolle”, shtoi Haliti.
Kryetari i Vitisë, Haliti ka potencuar se nëse nuk ndërmerret diçka atëherë do të vazhdohet me reagime më serioze.
“Ne do të vazhdojmë me reagim edhe më serioz, nëse këtë javë nuk fillojnë punimet sipas planifikimit buxhetor që ka udhëhequr ministria në fjalë. Gjithashtu duam të njoftojmë opinion publik se ne nuk kemi kompetenca as në mbikëqyrje e as në procedura, prandaj presim që të reagojë Qeveria e Kosovës për të filluar punimet, për faktin se gjendja ekzistuese e shkollës është tepër e rëndë”, ka thënë kryetari Haliti.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)