Aktuale
Bëhuni gati për autostradën Shqipëri – Mal i Zi
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/11/1-32.jpg)
Shqipëria dhe Mali i Zi kanë nisur punën e tyre për një studim paraprak fizibiliteti lidhur me autostradën Adriatiko-Joniane, një nga projektet më të rëndësishme që lidhen me detyrat e SEETO-s dhe konektivitetin. Gjatë vizitës zyrtare në Podgoricë, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri zhvilloi bisedime bilaterale me Ministrin e Transportit dhe Marinës Osman Nurkovic dhe Ministren e Ekonomisë Dragica Sekulic ku u dhanë edhe detaje për këtë projekt.
Nga studimi pritet kryerja e një analize të detajuar mbi investimin e mundshëm, prioritetet e ndërhyrjes, me qëllim bërjen e një projekti financiarisht të mundshëm për t’u mbështetur.
“Diskutuam në lidhje me projektet e infrastrukturës rrugore ku të dyja vendet kanë si projekt prioritet autostradën Adriatiko-Joniane. Kemi marrë financimet e nevojshme për të bërë studimin përfundimtar të fizibilitetit. U njoha edhe me projektet e zhvillimeve infrastrukturore në Malin e Zi që ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në lidhjen me Shqipërinë. Ngrita problemet që kërkojnë vëmendjen e palës malazeze për kompletimin e rrugëve të tjera dytësore që lidhin pika të tjera kufitare me Shqipërinë”, theksoi ministri Gjiknuri.
Çfarë është Korridori Blu
Autortrsada Adriatiko–Joniane apo Korridori Blu është autostrada e të ardhmes që zgjatet përgjatë gjithë bregut lindor të Adriatikut dhe detit Jon duke u zgjatur deri në pjesën perëndimorë të Gadishullit të Ballkanit. Rruga nis nga Tireste në Itali, kalon përmes Sllovenisë, hyn në Kroaci afër Rijeka dhe del Trebinjë në Bosnjë përpara se të hyjë në Mal të Zi. Gjithsesi ende nuk janë konkluduar projektet finale. Autostrada kalon në Podgoricë dhe më pas në Shkodër në Shqipëri për të vazhduar në Tirane-Durrës-Fier-Gjirokastër duke dalë nga Shqipëria për tu lidhur me seksionin grek rrugës E55.
Pikë e përbashkët doganorë me Malin e Zi
Më tej, ai u ndal tek përpjekjet për krijimin e pikës së përbashkët kufitare edhe në Han të Hotit, njësoj siç tashmë funksionon në Muriqan.
“Ka hapa konkret dhe besoj se shumë shpejt edhe kjo gjë, me angazhimin e qeverive dhe institucioneve përkatëse do të bëhet realitet. Gjithashtu, na u prezantua nga ana e palës malazeze edhe me njëprojekt zhvillimor për gjithë pjesën e liqenit të Shkodrës, një projekt të integruar ku përfshihen edhe elementët e turizmit, bujqësisë, navigimit. Mendoj se ky është një projekt që duhet ta shtyjmë përpara”, nënvizoi Gjiknuri.
Në takimin me Ministren e Ekonomisë që mbulon dhe pjesën e energjetikës, Gjiknuri u ndal tek angazhimi për projektin e përbashkët të gazsjellësit Jonian Adriatik Pipeline (IAP).
“Kemi vendosur që nga faza e krijimit të një njësie të përbashkët të kalojmë në fazën për krijimin e një kompanie të përbashkët për projektin IAP. Në këtë mënyrë mund ta promovojmë tek investitorët e mundshëm dhe besoj se shumë shpejt kjo gjë do të konkludohet përpara mbledhjes së qeverive të dy vendeve që është parashikuar për në pranverën e ardhshme”, theksoi Gjiknuri.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)