Aktuale
Të ardhurat nga TAP më ulët se pritshmëritë
Duket se politika e qeverisë për një politikë të re taksash sa i takon të ardhurave personale, ku hyri në fuqi taksimi progresiv nuk po funksionon.
Ndryshimi i mënyrës së taksimit mbi të ardhurat personale nuk po jep efektin e pritshëm në buxhetin e shtetit.
Të ardhurat nga ky zë, vetëm për 9 mujorin llogariten të jenë në vlerën e 24.5 miliardë lekëve, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin 24.4 miliardë lekë.
Megjithëse sipas politikës qeverisëse, me vendosjen e kësaj mënyre taksimi shqiptarët që paguhen më pak do paguajnë më pak taksa, ndërsa ata që marrin më shumë do kenë dhe taksë më të lartë.
Por kjo duket se ka rritur dhe evazionin, duke bërë që deklarimi i pagave të mos jetë real, pasi rritja e numrit të të siguruarve sipas institucioneve shtetërore, duket se nuk ka patur efekt pasi shumica e deklarimeve janë me pagën minimale.
Aktualisht sipas ligjit, të gjithë ata që kanë të ardhura nga paga deri në 90 mijë lekë në muaj paguajnë më pak taksa në shtet nga sa paguanin deri në 31 dhjetor të vitit 2013.
Të ardhurat personale që tatohen mund të kategorizohen në nëngrupe: ato mbi të ardhurat nga paga në sektor publik dhe sektor privat; nga interesat bankare; nga dividendët; nga shitja e pasurive të paluajtshme dhe për burime të tjera të ardhurash.
Të ardhurat që vijnë nga tatimi mbi pagat zënë peshën kryesore, në rreth 60%, sa i takon strukturës së vlerave të tatimit të të ardhurave personale.
Ndërkohë që “ideja e qeverisë” për ta zgjeruar gamën e këtij tatimi shihet në mënyra të ndryshme.