Featured
Pa e ditur ndërtoi çerdhen në tokë të AKP-së, i kërkohet ta rrënojë
Ka 10 vjet qëkur Mehdi Igrishta e ka blerë këtë pronë prej 3 hektarësh në Komunën e Vushtrrisë.
Por, prej që ka filluar së ndërtuari këtë çerdhe, atij i ka dalë problem me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, raporton KTV.
Kjo, pasi një pjesë e objektit të çerdhes është në pronë të kësaj agjencie.
Igrishta thotë të mos jetë një dijeni që kjo pjesë e pronës i takon AKP-së.
Ai ka afat vetëm deri të hënën që ta rrënojë këtë pjesë.
Ai shton se me të kuptuar që kjo pjesë e pronës nuk i takon atij, ka bërë kërkesë nga AKP-ja që t’ia japë me qira, por që nuk ka marrë përgjigje.
E në Komunën e Vushtrrisë pa dashur të prononcohen, kanë thënë që me kërkesë të AKP-së, Igrishtës ia kanë ndaluar punimet dhe se do t’i ndërmarrin të gjitha masat ligjore ndaj këtij ndërtimi.
“Aty bëhet fjalë për një pronë të ndërmarrjes Kooperativa, tani është nën menaxhimin e AKP-së. Personi në fjalë as e ka privatizuar e as e ka marrë me qira këtë parcelë. Ne, si Drejtori për Inspektime, ia kemi ndaluar punimet deri në rregullimin e dokumenteve të nevojshme, pasi që bëhet fjalë për një ndërtim pa leje, si dhe një pronë që menaxhohet nga AKP-ja. I njëjti ka vazhduar prapë të ndërtojë dhe tani inspektorët e ndërtimit do të marrin masa ligjore ndaj këtij ndërtimi”.
Edhe në AKP thonë që ky është ndërtuar ilegalisht dhe që duhet rrënuar.