Aktuale
Abrashi premton shndërrimin e Prishtinës në metropol
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/11/auto_abrashi1510940752.jpg)
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, në tubimin përmbyllës, është zotuar para qytetarëve të Prishtinës se pas fitores ditën e diel do të qeverisë mirë dhe do të zbatojë programin e punëve të mëdha për Prishtinën.
“Qeverisja ime, në bashkëpunim me partnerët tanë do të jetë qeverisje e punëve të mëdha dhe projekteve të mëdha, do të jetë qeverisje me vizion për një Prishtinë Metropolitane, e cila do të zhvillojë edhe komunat përreth dhe do të jep impulse zhvillimi gjithë Kosovës. Nuk do të bëjmë punë sot për nesër, por do të bëjmë punë për të ardhmen e Prishtinës. Unë i kam hyrë garës për Prishtinën me një vizion optimist dhe shpresëdhënës për Prishtinën. Vizioni in është Prishtina e zhvilluar dhe miqësore, një Prishtinë që e duam për familjet tona, këtë po e shoh në tubimet madhështore, po e shoh në çdo mjedis”, ka thënë Abrashi.
“Unë vlerësoj çdo punë të mirë që është bërë në qytetin tonë, sheshet, rrugët, parqet shkollat, qendrat e mjekësisë familjare, drunjtë dhe lulet e mbjella. Qytetarët janë ata që vlerësojnë se çfarë është punuar dhe çfarë nuk është punuar. Çfarë është punuar mirë dhe çfarë është punuar keq. Do të dëshiroja që në mandatin e kryetarit në shkuarje të ishte punuar ashtu siç ishte premtuar, ashtu siç ishte zotuar, por kjo nuk ndodhi. Ai e fitoi mandatin me propagandë dhe ai e përfundon mandatin me propagandë. Ditën e mirë e ka”, ka thënë Abrashi.
Ai tha se është zotuar para qytetarëve se do ta ndërtojnë Prishtinën dhe do ta zhvillojmë ashtu siç ata e dëshirojnë.
“Do të bashkëpunojmë me secilin qytetar dhe me të gjitha institucionet e vendit, që Prishtinën ta bëjmë kryeqytet me të gjitha vlerat që i takojnë, kryeqytet që do t’ju konkurrojë qyteteve evropiane, sepse ne synojmë Bashkimin Evropian”, pohoi ai.
“Si kryetar i Prishtinës do të bashkëpunojë me të gjitha kryeqytetet evropiane, me Nju Jorkun dhe Uashingtonin dhe me miqtë tanë që na lidhi Presidenti ynë historik Ibrahim Rugova. Ne do të bëjmë ndryshime dhe këtë ndryshim e garantoni ju që jeni sonte bashkë me ne dhe gjithë ata njerëz vullnetmirë nga parti të ndryshme që u bënë bashkë me ne”, potencoi Abrashi.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)