Aktuale
Ky është plani i detajuar i UP-së për Kishën Ortodokse, kthehet në vitin 1990
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/11/Serbian_Orthodox_church_in_Priština-1.jpg)
Këshilli Drejtues dhe Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës është gjithmonë i përkushtuar që të përmbushë të gjitha hapat ligjore për kthimin e pronës së uzurpuar nga Kisha Ortodokse Serbe, në mënyrë të kundërligjshme në pronësi dhe në shërbim të studentëve.
Për të dal fitues në këtë çështje UP-ja kërkon që komuna e Prishtinës të revokoj vendimin e vitit 1990 me të cilin është dhënë në shfrytëzim tokën për ndërtimin e kishës.
“Këshilli Drejtues kërkon nga Kuvendi Komunal i Prishtinës që në suaza të legjislacionit pronësor dhe procedurave të veta të vendimmarrjes të revokoj Vendimin e ish-Këshillit Ekzekutiv të KK-së Prishtinës Nr. 110-74/90-02 i datës 26.09.1990 me të cilin në mënyrë të kundërligjshëm ka dhënë në shfrytëzim tokën për ndërtimin e ndërtesës së Kishës Ortodokse. Prona kontestuese e dhënë Kishës Ortodokse e që në vazhdimësi është kontestuar nga UP-ja, është pronë e Komunës së Prishtinës, ndërsa UP-ja është shfrytëzuese e saj. Shfuqizimi i Vendimit do ta lehtësonte jashtëzakonisht shumë problemin ligjor dhe rikthimin e pronës në shfrytëzim për nevojat emergjente të UP-së, për hapësira dhe infrastrukturë”, thuhet në njoftimin e Universitetit të Prishtinës.
Sipas UP-së Aktvendimi që i lë Kishës Ortodokse në pronësi tokën e kampusit univeristar është vendim procedural e jo përfundimtar.
“Njoftojmë opinionin se bazuar në legjislacionin aktual Aktvendimi i Gjykatës Themelore C.nr 2444/12, është i natyrës procedurale, e jo një vendim meritor/përfundimtar ndërlidhur me Kërkesën e UP-së për kthimin e pronës së uzurpuar nga Kisha Ortodokse Serbe”, thuhet në një njoftim të lëshuar nga UP-ja.
Universiteti njofton se tashmë kanë filluar punët për një padi të re në lidhje me këtë çështje.
“Në këtë situatë juridike, UP-ja sipas Ligjit do të inicoj padi për kthimin e pronës së uzurpuar nga Kisha Ortodokse Serbe.Këshilli Drejtues ka formuar një Grup te Veçantë Punues i ngarkuar me detyrë që duke siguruar mbështetjen e institucioneve ta ndjek këtë çështje në rrugë ligjore deri në kthimin përfundimtar të kësaj prone në shfrytëzim të studentëve të tij”, thuhet më tutje në njoftim.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)