Aktuale
Qeveria e Maqedonisë ende pa qëndrim për “Rrugën e Arbrit”
Qeveria e Maqedonisë ende nuk ka qëndrim për ndërtimin e Rrugës së Arbërit e cila do të shkurtonte rrugën Shkup-Tiranë për rreth 100 kilometër.
Nga ekzekutivi nuk dhanë një përgjigje të prerë nëse Qeveria e Shkupit do të pranojë propozimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama, për të ndërtuar pjesën e Rrugës së Arbërit në territorin e Maqedonisë.
Kjo pikë poashtu nuk dihet edhe nëse do të diskutohet në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Maqedonisë dhe asaj të Shqipërisë, për të cilën zëdhënësi Mile Boshnjakovski, tha se po dakordohet dhe gjatë ditëve në vazhdim do të publikohet edhe data e saktë se kur do të mbahet, raporton shenja.
Gjithashtu pas publikimit të rendit të ditës do të mësohet nëse aty do të bën pjesë për diskutim edhe Rruga e Arbërit.
“Seanca e përbashkët e Qeverisë së Maqedonisë dhe Qeverisë së Shqipërisë do të mbahet, data dhe të gjitha detajet e tjera po dakordohen pikërisht në këto momente, gjeqësisht grupe pune të dy qeverive sot diskutojnë, i dakordojnë të gjitha çështjet relevante. Në momentin që do t’i kemi datën dhe rendin e ditës së mbledhjes së përbashkët do ta njoftojmë opinionin. Për momentin nuk mund tju them në mënyrë specifike cilat pika do të jenë në rend dite, por do të bisedohet për gjithçka, seanca do të mbahet, gjatë ditës është e mundur ti kemi të gjitha detajet, por nëse diçka ngelet e hapur pas takimeve të sotme dhe do të jeni të informuar”, deklaroi Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama megjithatë gjatë promovimit të projektit u zotua se këtë projekt do ta diskutojnë edhe gjatë taimit të përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë që pritet të mbahet në Peshkopi. Gjatë prezentimit të projektit Rama tha se Rruga e Arbërit do të ndihmojë në afrimin e Dibrës me Tiranën dhe do të shkurtojë dukshëm lidhjen me Shkupin. Ndërkaq edhe ekspertët shqiptarë nga Maqedonia thonë se nëse ndërtohet edhe rruga në territorin e Maqedonisë, atëherë rruga Shkup-Tiranë do të shkurtohet për 100 kilometër.
Inxhinjeri Shefki Aliti, ditë më parë tha për televizionin Shenja se që nga viti 2008 ai e ka të gatshëm projektin për autostradën dhe se nevojitet vetëm vullnet i Qeverisë për ta realizuar të njëjtin.
Ai ishte optimist se nëse ndërtohet me parametrat e autostradës, do të jetë edhe më e lehtë të gjenden edhe mjetet.