Aktuale
Limaj: Pezullimi i privatizimit të tokave bujqësore iu hap rrugë investitorëve të huaj
Iniciativa e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Fatmir Limaj për pezullimin e privatizimit të tokave bujqësore po del të jetë e drejtë. Vetëm një javë pas marrjes se këtij vendimi nga ana e Qeverisë së Kosovës, një kompani nga Izraeli po shprehet e gatshme të investoj mbi 100 milionë euro në bujqësi.
Lajmi është bërë i ditur një ditë me parë në një konferencë të mbajtur nga ana e zv/kryeministrit Limaj bashkë me ambasadoren e Izraelit në Beograd dhe një grup investitorësh nga Izraeli.
I kontaktuar nga ‘Indeksonline’, zëvendëskryeministri Limaj ka thënë shkurt se është lajm i mirë për Kosovën, ardhja e investitorëve nga Izraeli. Limaj ka bërë me dije se pezullimi i privatizimi të tokave bujqësore do t’i hap rrugë investitorëve të huaj e vendor mundësinë për të investuar në Kosovë.
“Vendimi i Qeverisë për pezullimin e privatizimit të tokave po mundëson thithjen e investimeve të huaja. Vendimi i Qeverisë është në vazhdën e vendimeve të kësaj Qeverie të cilat mundësojnë zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, ka thënë Limaj.
Ndryshe, kompania (OAPI) nga Izraeli ka planifikuar të investoj mbi 100 milionë euro në bujqësi.
Ky investim parasheh ndërtimin e një ferme të produkteve të qumështit, ndërtimin e thertoreve dhe një fabrike për përpunimin e mishit.
Ndërsa nga ana e Kosovës është kërkuar ndërtimi i një shkolle profesionale i cili do të bënte përgatitjen e kuadrove për të punuar në këtë projekt.