Aktuale
Taksa e pronës, ja kur do të paguani më shumë
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/11/pronat-.jpg)
Një nga ndryshimet më të përfolura nga paketa e re fiskale është ai i taksës mbi ndërtesat, e cila nuk do të llogaritet më vetëm bazën e sipërfaqes, pasi në ekuacion shtohet edhe vendndodhja.
Shkalla e taksës mbi ndërtesat do të aplikohet si përqindje e bazës së taksës, si vijon:
- 05% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për banim;
- 15% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike;
- 30% e shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi
Për ta thjeshtëzuar, nëse sot ju paguani për një apartament pas vitit 1993, sipas formulës m2*30 lekë, tani formula e re do të jetë m2*çmimin minimal fiskal*0.05%.
Kështu, për të llogaritur nëse do të paguani më tepër apo më pak sa ç’keni paguar më parë komponenti bazë që ua tregon është pikërisht çmimi minimal fiskal, ose çmimi i referencës. Nëse ky çmim është më i ulët se 60 mijë lekë atëherë ju do të paguani më pak, në të kundërt do të përfundoni duke paguar më shumë.
Le të marrim shembull: Për një banesë 100 m2 pranë Selvisë në Tiranë, me formulën e vjetër do të paguanit vetëm 3000 lekë, ndërsa taksa tanimë do të llogaritet 100* 110,000 (l/m2)*0.0005, dhe rezulton të jetë 5500 lekë, ose 2500 lekë më shumë.
Por një banesë në Korçë, ku çmimi mesatar i referencës është 45,816 lekë, ndryshimi do të thotë një ulje të taksës që duhet paguar. Për një apartament 100 m2 taksa tani nga 3000 lekë bëhet 2290 lekë, ose 710 lekë më pak.
E njëjta llogaritje mund të bëhet në rastin e njësive tregtare, të cilat aktualisht paguajnë m2*400 lekë. Me metodologjinë e re të taksimit, bizneset do të paguajnë më pak kur çmimi minimal fiskal i njësisë është nën 267 mijë lekë. Për çdo vlerë sipër saj, njësitë tregtare do të paguajnë më tepër se aktualisht.
Nëse zotëroni një ndërtesë që përdoret për veprimtari prodhimi, taksa aktuale është m2*200 lekë. Me formulën e re, ju do të paguani më pak nëse çmimi fiskal i njësisë tuaj është nën 133 mijë lekë.
Sipas shifrave të mësipërme, metodologjia e re e taksimit do të shtohet si barrë vetëm për pjesën më të madhe të zonave në Tiranë dhe Durrësi. Në Vlorë kjo taksë do të jetë mesatarisht e pandryshuar, ndërsa për pjesën tjetër të Shqipërisë, pronarët e ndërtesave do të paguajnë më pak.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)