Aktuale
Ekspertët: Jemi larg një buxheti zhvillimor
Buxheti për vitin e ardhshëm nuk është zhvillimor dhe vështirë se do të arrihet që të realizohet e planifikuara, veçanërisht në pjesën e rritjes së BPV-së prej 3,2% e cila është tejet optimistike
Me tempin e këtillë të huamarrjes, Maqedonia në nivel vjetor humb nga 50 kilometra autostradë vetëm nga normat e interesit që duhet t’i paguajë për borxhet, duke mos paguar asnjë denarë nga shuma kryesore e borxhit. Buxheti për vitin e ardhshëm nuk është zhvillimor dhe vështirë se do të arrihet që të realizohet e planifikuara, veçanërisht në pjesën e rritjes së BPV-së prej 3,2% e cila është tejet optimistike. Këto janë reagimet e ekspertëve dhe njohësve lidhur me propozim-buxhetin për vitin 2018 i cili është dorëzuar në Kuvend. Ata thonë se për momentin Maqedonisë më së paku i nevojitet një buxhet i këtillë dhe si edhe të gjitha qeveritë deri tani, edhe ky buxhet është projektuar vetëm për nevojat e Qeverisë, e jo të qytetarëve.
“Për momentin Maqedonisë më së paku i nevojitet një buxhet i këtillë. Me buxhet kështu të dizajnuar dhe me huamarrje të këtillë vetëm për normat e interesit, pa e paguar shumën kryesore, paguajmë nga 50 kilometra autostradë në vit. Maqedonia deri në vitin 2007 ka pasur 1 miliardë euro buxhet më të vogël. Në fillim të viteve ’90, buxheti ishte gjithsej 900 milionë euro. Doli se të gjitha buxhetet e të gjitha qeverive janë vetëm për nevojat e qeverive, por jo edhe të popullit. Me gjithçka që kemi bërë, vazhdimisht i kemi ushqyer partitë, kurse kemi përkeqësuar ekonominë dhe standardin e qytetarit të rëndomtë. Ajo që mund ta them me siguri është se nuk shoh ndonjë dallim konceptual mes buxheteve të VMRO-së dhe LSDM-së”, deklaroi për “Post.mk”, ZoranVitanovi nga Asociacioni i menaxherëve të Maqedonisë.
Sipas tij, prapë kemi harruar investimet kapitale dhe kost-benefit parimin gjatë projektimit të buxhetit.
“U mërzitëm nga dy partitë politike me qëndrimin e tyre diametralisht të kundërt ndaj buxhetit, kur janë në opozitë dhe kur janë pushtet. Siç do të thoshte një ish-politikan ‘kështu nuk mundet më, kështu nuk shkon më’. Por, fajin nuk e kanë politikanët të cilët kanë gjetur një fshat pa qen. Kemi një popull shumë të paarsimuar, të frikësuar dhe me prirje poltroniste, i cili më me siguri nuk dëshiron të luftojë kundër kriminalitetit, por dëshiron ta vjedhin të vetët, e jo të tjerët”, thotë Vitanov.
Sipas profesorit Fatmir Bytyqi, propozim-buxheti për vitin e ardhshëm nuk është zhvillimor dhe projeksionet për rritjen e BPV-së prej 3,2% janë tej -optimisitike. Ai thotë se për këto arsye është e nevojshme huamarrje enorme e shtetit. Ai vëren se gjatë prezantimit publik që e organizoi Ministria e Financave para ekspertëve dhe afaristëve u prezantua një gjë, kurse numrat e buxhetit të tërësishëm janë më të ndryshme.
“Jemi larg një buxheti zhvillimor, sidomos për shkak se shpenzimeve sociale u përket përqindja më e lartë e buxhetit. Vlerësoj se nuk kemi mjaft investime kapitale të cilat edhe për vitin 2018 afërsisht janë të njëjta si këtë vit, kurse janë më të larta se rebalanci. Po të shihet tendenca e 60% të shfrytëzimit, në vitin 2018 le të jetë 80%, kjo është shumë pak për nevojat reale. Ajo që u ndryshua është mënyra e trajtimit të disa zërave të ndryshme buxhetore. Për komunat paralajmëruan 1% të BPV-së, por unë këtë nuk e shoh në buxhetin që ishte dorëzuar në Kuvend”, thotë Bytyqi.
Sipas tij, huamarrja është e pashmangshme veçanërisht sepse viteve të kaluara kemi pasur obligime të pashlyera dhe huamarrje të tepruar, të cilat dikush duhet t’i kthejë.
“Borxhi ndaj ekonomisë për të cilin thanë se ishte rreth 400 milionë euro, tani nuk përmendet askund. Konsideroj se ai borxh i fshehur është më i madh dhe është në vlerë prej 1 miliardë eurosh. Mendoj se ai disi do të servisohet përmes disa zërave buxhetore. Shpjegimi i vetëm logjik është se do të marrin hua për t’i kthyer borxhet. Jam skpetik se vitin e ardhshëm do të arrihet rritja prej 3,2%, me një buxhet jozhvillimor dhe me një ekonomi e cila lufton vetë. Ky është një projeksion tepër optimistik”, përfundoi Bytyqi.