Connect with us

Aktuale

Shqipëria, me taksat më të larta dhe buxhetin më të varfër të rajonit

Published

on

Pavarësisht rritjes së ndjeshme dy vitet e fundit, Shqipëria vijon të ketë rendimentin fiskal më të ulët në rajon, ndonëse ka barrën më të lartë të taksave.

Zëri ku çalon dukshëm është ai i të ardhurave nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, një tregues se pikërisht aty është evazioni më i lartë në vend.

Këtë vit, Shqipëria pritet të arrijë rekord në të ardhurat që ajo mbledh nga bizneset dhe individët përmes taksave që ata paguajnë në buxhet. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), të ardhurat do të arrijnë në 28.2%, niveli më i lartë që nga viti 1993, sipas tabelave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave. Në 2018-n, ky tregues pritet të ulet lehtë në 28.1% të PBB-së dhe pritet të mbetet në këto nivele deri në 2020-n. Për vitin 2018, bizneset dhe individët pritet të paguajnë në total rreth 3.3 miliardë euro taksa.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), një taksë që paguhet nga konsumatori në çmimin fundor të mallit ose shërbimit, është zëri që sjell më shumë të ardhura në buxhet, me 33.5% të totalit, sipas parashikimit në projektbuxhetin 2018. Nga TVSH pritet të arkëtohen rreth 1.1 miliardë euro. Zëri i dytë janë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që së bashku zënë 19.2% të totalit të të ardhurave të pritshme.

Akciza është kategoria e tretë, që siguron 9% të të ardhurave. Përmes akcizës dhe TVSH-së që janë të dyja taksa mbi konsumin dhe që bizneset ia ngarkojnë konsumatorit final përmes çmimit, buxheti siguron gati 45% të të ardhurave. Kjo do të thotë se nga produktet që do të blejnë, ose shërbimet që do të marrin, qytetarët do të paguajnë indirekt për shtetin rreth 1.5 miliardë euro. Pas akcizës renditen taksa nacionale (renta etj.), tatimi mbi të ardhurat personale dhe tatimfitimi që sjellin përkatësisht rreth 8.5, 8.2 dhe 7.5% të totalit.

1.5 mld euro taksa konsumi

Përmes akcizës dhe TVSH-së që janë të dyja taksa mbi konsumin dhe që bizneset ia ngarkojnë konsumatorit final përmes çmimit, buxheti siguron gati 45% të të ardhurave. Kjo do të thotë se nga produktet që do të blejnë, ose shërbimet që do të marrin, qytetarët do të paguajnë indirekt për shtetin rreth 1.5 miliardë euro

Krahasimi me rajon, çalojmë dukshëm te sigurimet shoqërore

Ndërsa në krahasim me vetveten, Shqipëria ka arritur rekord, në raport me vendet e tjera të rajonit ka rendimentin më të ulët të mbledhjes së të ardhurave. Performancën më të mirë e ka Serbia, që pret të mbledhë të ardhura të barabarta me 41.85% të asaj që ekonomia e vendit prodhon në një vit.

 

Më pas renditen Mali i Zi, me 40.5% të PBB-së, i ndjekur nga Maqedonia me 32.7%. Pozitiv është fakti që teksa i gjithë rajoni ka parë rënie të të ardhurave në raport me PBB-në vitin e fundit, në Shqipëri tendenca ka qenë në rritje.

 

Tkurrjen më të lartë e ka parë Maqedonia, që dikur mblidhte rreth 35% të PBB-së dhe pritshmëritë janë që të ardhurat të zbresin edhe nën 30%.

 

Emil Shukrov, analist në Qendrën për Kërkime dhe Politikëbërje në Shkup, tha për “Monitor” se janë disa faktorë që kanë ndikuar në rënien e të ardhurave të Maqedonisë, ku më kryesoret janë evazioni dhe fshehja e importeve, siç ka rezultuar në raportin e fundit të kësaj Qendre mbi Ekonominë Informale dhe Punën e Padeklaruar, i realizuar në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri në 2016-2017.

 

Ai shton se ulja e taksave nga qeveria maqedonase ka dhënë ndikim, megjithëse kjo ka ndikuar pozitivisht në zgjerimin e bazës së tatimpaguesve. Në kahun tjetër, shpenzimet kanë qenë joproduktive, si subvencionet masive dhe në rritje për bujqësinë, pa një vlerësim të saktë se çfarë sollën ato dhe rritja e pensioneve dy herë në vit dhe e pagesave sociale.

 

“Gjithashtu shumë para janë shpenzuar në infrastrukturë të re, shkolla, rrugë, autostrada që duhen mbaruar, spitale të reja dhe universitete – disa prej tyre nuk prodhojnë të ardhura për shkak të natyrës së tyre dhe të tjera duhet ende të vihen në funksion që të jenë produktive”.

 

Zëri ku Shqipëria çalon dukshëm është ai i kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Me vetëm 5.2% të PBB-së, vendi ynë mbledh sa gjysma e mesatares së rajonit. Në Serbi dhe Mal të Zi, ky tregues i kalon 12% të PBB-së.

 

Ky është një tregues i informalitetit të lartë të punës në vend, teksa një pjesë e madhe e punonjësve deklarojnë paga minimale, por edhe e faktit që Shqipëria ka një numër të lartë të të punësuarve në sektorin bujqësor, që paguajnë kontribute minimale, ose nuk paguajnë fare.

 

Sipas INSTAT, në fund të gjashtëmujorit të parë 2017, të punësuarit në fshat (që në fakt konsiderohen të vetëpunësuar) përbënin 42% të totalit.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është një tjetër kategori që mblidhet rreth 2-3 pikë përqindje më pak se mesatarja e rajonit. Për vitin 2018, pritet që ky zë, i cili është një tregues direkt i qarkullimit të mallrave në ekonomi, të mbetet në 9.1% të PBB-së, në nivele të njëjta me një vit më parë.

Financat tentuan që të luftonin evazionin përmes mbylljes së ciklit të TVSH-së nga zero, por më pas u tërhoqën dhe ulën kufirin nga 5 në 2 milionë lekë dhe vetëm për një kategori biznesesh. Në rajon, kryesojnë Maqedonia dhe Mali i Zi, që mbledhin nga TVSH-ja mbi 14% të PBB-së.

Shqipëria ka rendiment më të ulët se rajoni edhe për mbledhjen e të ardhurave nga akciza (rreth 3 pikë përqindje të PBB-së më pak), dhe tek të ardhurat personale (rreth 1 pikë përqindje më pak), por është më mirë në të ardhurat që gjeneron nga tatimfitimi i bizneseve.

Statistikat tregojnë se Shqipëria ka rendimentin më të ulët në rajon për tatimin e pronës. Të ardhurat nga tatimi mbi pasurinë janë më pak se 0.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Rajoni e ka këtë tregues në rreth 0.7-1% të PBB-së, ndërsa vendi që ka performancën më të mirë ështëKroacia, me rreth 2% të PBB-së.

Sipas të dhënave të OECD, në vendet e zhvilluara, të ardhurat nga taksa e pasurisë në Itali janë sa 2.8% e PBB-së, në Greqi 2% e PBB-së, në Zvicër sa 1.9% e PBB-së, Austria 0.6%, Sllovenia 0.6%, Hungaria 1.3%. Nivelin më të lartë e mbajnë Britania dhe Franca, që mbledhin nga taksa e pasurisë 4.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Nga janari i këtij viti do të nisë mbledhja e taksës së pronës sipas një formule të re, bazuar në vlerë. Drafti zyrtar i projektligjit “Për taksat vendore”, që është pjesë e Paketës Fiskale 2018, përcakton se taksa për ndërtesat të jetë 0.05% e vlerës së pronës për qytetarët dhe 0.15% për bizneset.

Në projektbuxhetin 2018, është parashikuar që të ardhurat nga kjo taksë do të arrijnë në 0.5% të PBB-së, nga 0.3% që është niveli i pritshëm i 2017-s.

Tabela krahasuese e taksave, Shqipëria dhe Serbia më të lartat në rajon

Shqipëria dhe Serbia kanë nivelet më të larta të taksave në rajon për vitin 2017, sipas tabelave të publikuara nga Banka Botërore në kuadër të raportit “Të bësh biznes 2018”.

Bizneset shqiptare paguajnë si taksa 37.3% të fitimit dhe në Serbi 39.7%. Nivelin më të ulët e kanë Maqedonia dhe Kosova me përkatësisht 13.2% dhe 15%.

Tatim fitimi

Serbia dhe Shqipëria kanë të dyja nivel të tatim fitimit prej 15%, ndërsa Maqedonia, Bosnja dhe Kosova e kanë 10%, Mali i Zi 9%. Rreth viteve 2007- 2008, rajoni u fut në një garë të ethshme se kush i ulte më shumë taksat, me synim tërheqjen e investitorëve, duke zbatuar një taksë të sheshtë prej rreth 10%. Por, me fillimin e krizës globale, Serbia dhe Shqipëria zgjodhën të rrisnin sërish tatim fitimin, ndërsa shtetet e tjera vijuan ta mbajnë në nivele të ulëta.

TVSH

Shqipëria dhe Serbia janë të vetmet që e kanë nivelin e TVSH-së prej 20%. Në Mal të Zi, TVSH-ja është 19%, në Maqedoni dhe Kosovë 18%, në Bosnjë 17%. TVSH është në fakt një taksë që paguhet nga konsumatori përmes çmimit final dhe ndikimi i saj në normën e taksave e kontributeve ndaj fitimit për bizneset është zero.

Sigurimet

Kontributet e sigurimeve shoqërore të paguara nga punëdhënësi janë sërish më të lartat në Shqipëri dhe Serbi, përkatësisht me 15% dhe 17.9%. Vendet e tjera ia ngarkojnë barrën më të lartë të sigurimeve punëmarrësit, ku në Maqedoni psh, sigurimet paguhen tërësisht nga punonjësi (27%), çka ka bërë që bizneset maqedonase të rezultojnë me një normë të ulët të taksave e kontributeve në raport me fitimet. Kontributet më të ulëta i ka Kosova, me 5% secili (punëdhënësi dhe punëmarrësi).

Taksat e tjera

Taksa e pasurisë apo ndërtesës në rajon është në përqindje, model drejt të cilit po shkon dhe Shqipëria, ku më e larta është në Serbi dhe Mal të zi me 0.4-0.5% të vlerës së pronës.

Teksa Shqipëria dhe Serbia kanë normat më të larta të taksave e kontributeve, shteti serb arrin të mbledhë të ardhura sa 40% e Prodhimit të Brendshëm bruto, ndërsa ai shqiptar ka rendimentin më të ulët në rajon, me vetëm 28% të ardhura ndaj PBB-së.

Taksat

Teksa Shqipëria dhe Serbia kanë normat më të larta të taksave e kontributeve, shteti serb arrin të mbledhë të ardhura sa 40% e Prodhimit të Brendshëm bruto, ndërsa ai shqiptar ka rendimentin më të ulët në rajon, me vetëm 28% të ardhura ndaj PBB-së.

 

Barra më e lartë për bizneset shqiptare

Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se taksa që rëndon më shumë mbi sipërmarrjet shqiptare është ajo e kontributeve të sigurimeve, me 16.92% të totalit.Vetëm kontributet janë më të larta sesa gjithë taksat që raportojnë se paguajnë bizneset e Maqedonisë në raport me fitimet. Zëri i dytë që rëndon më shumë bizneset është ai i tatim fitimit, me 14% të totalit.

Barra e taksave të tjera është më pak se 2% e totalit të fitimeve.

Në 2017-n rezulton të jenë dyfishuar taksat bashkiake. “Të Bësh Biznes” i një viti më parë raportonte që taksat bashkiake ishin rreth 1300 euro në vit, ndërsa në raportin e këtij viti pagesa ishte rreth 2600 euro.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending