Aktuale
Ministri Lluka jep detaje për “Kosovën e Re”, që e anuloi për këtë vit
Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” është projekti më i madh në fushën e energjetikës, që pritet të realizohet në Kosovë.
Ky termocentral pritet që t’i jep fund problemeve me energji, të cilat janë të vazhdueshme në vendin tonë dhe pastaj të mbyllet termocentrali “Kosova A”.
Ish- ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci kishte premtuar se gjatë vitit 2017 do të kryhen procedurat e nevojshme në mënyrë që në vitin 2018 të fillojë ndërtimi i këtij termocentrali, shkruan Ndërtimi.info.
Mirëpo, një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
Se gjërat kanë ndryshuar e ka konfirmuar vetë ministri i ri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.
Pas marrjes së vendimit që ndërtimi “Kosovës se Re” të shtyhet, ministri Lluka sot ka dhënë detaje rreth kësaj çështje, për gazetën express.
Lluka ka treguar se në vitin 2018 pritet të kryhen të gjitha marrëveshjet e nevojshme dhe të bëhet dhënia e tenderit.
“Fundi i vitit mund të përmbyllet me nënshkrimin e marrëveshjes komerciale. Nënëshkrimi i kësaj marrëveshje lejon hapjen e procedurave të tenderit, procedura që do të zgjsin diku një vit. Tenderi bëhet gjatë viti 2018 dhe në fund të viti e marrim vesh kush e ka fituar këtë tender dhe sa ka kushtuar, sa është oferta e këtij termocentrali”, ka thënë Lluka, përcjell Ndërtimi.info.
Derisa ka potencuar se me ndërtimin e termocentralit të ri synohet stabilitet energjetik në vend, Lluka ka theksuar se në vitin 2019 fillon ndërtimi i tij, ndërsa funksionalizimi bëhet në vitin 2022 ose 2023.
“Pastaj bëhet marrëveshja financiare, e cila duhet të kalojë në Parlament. Rreth viti 2019, në muajin mars ose qershor do të fillojë ndërtimi i termocentralit, që parashihet të merr kohë rreth 3 vjet e gjysmë. Pra, viti 2022 – 2023 fillon operimi i termocentralit të ri dhe mbyllet “Kosova A”, u shpreh ai.
Ministri Lluka gjithashtu nënvizoi se tashmë janë marrë të gjitha masat që të mos ketë probleme gjatë gjithë këtij procesi, duke bashkëpunuar me lider botërorë të fushës përkatëse.