Aktuale
78 milionë dollarë pagesa për koncesione në vitin 2018
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/09/buxheti.jpg)
Dhënia e shumë objekteve apo shërbimeve publike më koncesion apo, siç ka nisur të quhet vitet e fundit, Partneriteti Publik Privat vijon të jetë objekt debati. Gjatë seancës së prezantimit të zërave të shpenzimeve të buxhetit të vitit të ardhshëm, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, u shpreh se fatura e planifikuar për vitin e ardhshëm kap vlerën e 78 milionë dollarëve. Sipas tij, këto janë pagesa për koncesionet e dhëna vite më parë, por edhe për PPP-të.
Gjithashtu sipas ministrit të Financave, tashmë me aktin normativ janë shlyer 3.6 miliardë lekë detyrime të prapambetura të krijuara në muajt e parë të këtij viti.
“Akti normativ i djeshëm pastroi të gjitha detyrimet e prapambetura, të krijuara pesë muaj e fundit, sidomos në sektorin e infrastrukturës, pra praktikisht që nga dje nuk ka më detyrime të prapambetura të trashëguara, sidomos në sektorin e infrastrukturës, ku prapambetja ishte 3.6 miliardë lekë”, u shpreh Ahmetaj.
Ndërsa Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku, e ka cilësuar këtë si një paaftësi të qeverisë për të bërë investime publike dhe për të menaxhuar buxhetin.
“Qeveria është e paaftë për të bërë investimet publike dhe të gjitha investimet publike është duke i transferuar nëpër koncesione, ose partneritete publik-privat siç keni dëshirë t’i quani ose siç preferoni ta quani. Koncesionet janë duke e gërryer buxhetin e shtetit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë dhe koncesionet janë duke u bërë diskutimi primar parësor edhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe këtu i referohem FMN-së. Keni sjellë një ligj me koncesione, i cili e rrit me 30% koston e tyre nga viti i kaluar. Është 9.4 miliardë lekë në mos gaboj”, tha Tabaku.
Referuar zërit të shpenzimeve në buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, investimet publike kapin vlerën e 86 1 miliardë lekëve ose 5 2% e PBB. Ndërsa të gjitha shpenzime buxhetore janw parashikuar nw vlerwn e 496.6 miliardw lekwve.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)