Infrastrukturë
Aeroportet në Sarandë e Vlorë dhe akset kombëtare – me përparësi
Me buxhetin e vitit 2018, qeveria parashikon të mbyllë punimet në të gjitha akset kryesore rrugore të vendit.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri u shpreh dje, në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, se buxheti 2018 do të bëjë të mundur që të mbyllim pjesën më të madhe të punëve në të gjitha rrugët e filluara.
Me fokus kryesor mbështetjen e investimeve në projektet prioritare që janë pjesë e akseve kryesore kombëtare.
Buxheti 2018 është rreth 47 miliard lekë në total. Gjiknuri tha se vitin e ardhshëm, qeveria pritet të nisë punimet edhe për ndërtimin e dy bypass-eve strategjike të Jugut, atë të Fierit dhe Vlorës.
Ndërsa përparësi do të ketë edhe projekti për ndërtimin e aeroporteve në Sarandë e Vlorë.
“Ne jemi duke studiuar disa propozime të kërkuara për projektet PPP në rrugë. Do të përcaktojmë disa projekte prioritare, ku mund të them se do jenë akse kryesore kombëtare siç mund të jetë Thumanë-Kashar, aks jashtëzakonisht i rëndësishëm. Apo aksi tjetër Milot-Balldren, rruga e Kardhiqit që lidhë pjesën pas Tepelenës me Sarandën”, tha Gjiknuri.
Linjë hekurudhore Tiranë – Rinas – Durrës
Në Tiranë do të ndërtohet një linjë e brendshme e rrjetit hekurudhor.
Ministri Industrisë dhe Energjisë Damian Gjiknuri, tha sot në Komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese se, ndërtimi i hekurudhës Tiranë – Rinas – Durrës, pritet të jetë një projekt i ri që do të marrë udhë vitin e ardhshëm.
“Po punohet për studimin e fizibilitetit të hekurudhave. Kemi projektin e rëndësishëm me BERZH për rrjetin modern hekurudhor Tiranë- Rinas- Durrës. Po diskutojmë me Bashkinë e Tiranës për bërë një lidhje të brendshme të rrjetit hekurudhor, duke u kthyer në një rrjet të transportit në qytetin e Tiranës”, tha Gjiknuri.
Duke u ndalur një tjetër projekt tjetër të rëndësishëm në fushën e energjisë, Gjiknuri shpjegoi se, do të hapet vitin që vjen tenderi për konçesionin e vënies në punë të TEC-it të Vlorës.
“Në këtë mënyrë do shtojmë portofolin në prodhimin e energjisë, duke krijuar më shume garanci për konsumatorin”, tha ai.
Stabiliteti ekonomik, garanci për investime të rëndësishme
“Investimet për vitin 2018 shkojnë në shifrën e rreth 420 milionë USD ose 43 miliardë lekë, vlerë kjo më e madhja e investimeve të mbledhura së bashku krahasuar me vitet e kaluara”, tha Gjiknuri.
Kjo, sipas tij, vjen si rezultat i stabilitetit ekonomik, dhe menaxhimit të një buxheti të qëndrueshëm.
Me këtë buxhet, tha Gjiknuri, bëhet e mundur hapja e disa projekteve të reja dhe mbyllja e projekteve të nisura. “Në Shqipëri kemi pasur një qasje disi të fragmentuar, pse jo edhe shpesh herë thuajse elektorale të shpërndarjes së investimeve, ku investimet nuk shkonin te rrjetet kryesore rrugore por shpërndaheshin nganjëherë edhe në rrugë, të cilat nuk kanë impaktin e menjëhershëm ekonomik, apo nuk japin rezultatin e menjëhershëm në buxhetin e shtetit”, tha ai.
Gjiknuri shpjegoi se, vitin që vjen, do të bëjmë të mundur mbylljen e pjesës së mbetur nga Kukësi deri në kufi, pjesë e autostradës, që ka mbetur e papërfunduar. Pjesa tjetër do të përfundohet në bazë të kontratës koncensionare dhe shume shpejt do të fillojë edhe aktivizimi i atyre pagesave që janë pjesë e kësaj kontrate, ndërkohë që investimet kanë filluar dhe do të kryhen në kohë.
Infrastruktura e kryeqytetit, frymëmarrje të re
Ministri Gjiknuri u shpreh se, buxheti i vitit 2018 do t’i japë frymëmarrje të re infrastrukturës së Tiranës.
“Ky buxhet do të bëjë të mundur hapjen e disa kantiereve të reja shumë të rëndësishme për lidhjet, nyjet kryesore të transportit rrugor, siç është edhe mundësia për vazhdimin e një pjese të unazës, sidomos nyja që lidhet nga ish-fabrika e birrës me pjesën e unazës së sapopërfunduar me sheshin Shqiponja, që edhe ajo fatkeqësisht është kthyer në një hink, pasi pjesa tjetër e unazës ka përfunduar”, tha Gjiknuri.
Vitin tjetër, theksoi ai, qytetarët që do të udhëtojnë nuk do të kenë më problemin e trafikut të rënduar.
Akset turistike, arteriet e zhvillimit ekonomik
Nga ana tjetër, do bëjmë të mundur të hapim kantiere të reja, siç është by-passi i Tepelenës, duke përfunduar gjithë segmentin nga Levani deri në Kakavijë, dhe ky është një segment shumë i rëndësishëm. Do të bëjmë të mundur vazhdimin e lotit të dytë Korçë – Ersekë, duke e lidhur përfundimisht Ersekën me pjesën tjetër të rrjetit kombëtar të rrugëve.
“Do të përfundojmë kantierët e nisura siç është Lin – Pogradec, përfshi edhe tunelin që do të bëhet në hyrje të Pogradecit, si edhe të gjitha veprat e nisura dhe që fatkeqësisht kanë mbetur prapa për shkak ndonjëherë të mungesës së likuiditetit, por shpesh herë edhe projekteve jo të bëra mirë”, theksoi ministri.
Nga ana tjetër, vuri në dukje Gjiknuri, ky buxhet mundëson edhe lidhjen e kontratave për by-passin e Vlorës dhe by-passin e Fierit, këto nyje kaq të rëndësishme që janë kthyer në gangrenë të madhe për transportin rrugor.
“Ne do të bëjmë të mundur të lidhim një kontratë deri në fillim të vitit tjetër me qëllim që të paktën njëri nga segmentet të jetë funksional për periudhën verore, dhe për këtë do bëjmë çmos, dhe shpresoj që edhe kontraktori që do të fitojë, t’i ketë kapacitetet e duhura”, tha Gjiknuri.