Aktuale
Alarmon organizata “Gjethi” nga Kaçaniku për ndërtimin e çerdhes
Komuna e Kaçaniku është duke ndërtuar një çerdhe të re në afërsi të shkollës “Emin Duraku”, e që gjatë procesit është dëmtuar trotuari.
Shfrytëzimi i torturuarit dhe dëmtimi i tij nga kompania që po merret me ndërtimin e çerdhes ka ngjallur reagime në Kaçanik, e për më shumë kur dihet se lejen për shfrytëzimin e trotuarit e kishte dhënë Komuna.
Së fundmi në lidhje me këtë situatë ka reaguar edhe Organizata për Mbrojtjen e Mjedisit “Gjethi” nga Kaçaniku, shkruan Ndërtimi.info.
Organizata “Gjethi” konsideron se kjo çështje është vetëm një simptomë e një problematike shumë më të gjerë zhvillimore-sociale që po i kanoset qytetit tani, derisa vlerëson se pasojat do të jenë shumë më të mëdha në të ardhmen.
Sipas kësaj organizate, çerdhja po ndërtohet në lokacionin ku EU-Beautiful Kosova së bashku me Komunën e Kaçanikut kishin investuar rreth 86 mijë euro për rregullimin e hapësirës sportive rekreative. Organizata konsideron se me projektin e ndërtimit të çerdhes të gjitha këto para do të humbin.
Një ndër problemet që ka nënvizuar kjo organizatë është edhe se ndërtimi i çerdhes së re dhe demolimi i së vjetrës nuk paraqet zhvillim, por Komuna do të kishte një arsye shtesë që të abuzojë me pronën publike të çerdhes së vjetër. Abuzimin e mundshëm me këtë pronë, organizata “Gjethi” e bazon, siç thekson me rastin e ndërtimit të ndërtesës ngjitur gjykatës ku iu ishte falë prona publike individëve të caktuar pa asnjë proces publik tenderimi.
Në një analizë të bërë nga kjo organizatë për ndërtimin e kësaj çerdhe, janë dhënë theksuar disa nga dëmet që organizata konsideron se po i shkaktohen dhe do i shkaktohen qytetit të Kaçaniku.
Më poshtë gjeni nalizën e plotë të bërë nga Organizata për Mbrojtjen e Mjedisit “Gjethi”.
KAÇANIKU PLANIFIKON TË NDËRTOJË QERDHEN E RE DUKE SHKATËRRUAR INVESTIMIN NGA DONATORI (EU-BEAUTIFUL KOSOVA)
ORGANIZATA PËR MBROJTJEN E MJEDISIT GJETHI
Në këtë fillimvjeshtë të ftohtë, qytetarët e Komunës së Kaçanikut u “ftohën” edhe nga një befasi tjetër nga Administrata Komunale. “Ftohja” nuk kishte të bënte me faktin se ajo Administratë papritmas kishte filluar realizimin e një projekti kapital të fushës së arsimit pa zhvilluar ndonjë konsultë publike apo pa u informuar qytetarët, sepse ata tanimë ishin mësuar me befasi të tilla që nga vitet e pasluftës. Në realitet shumica e projekteve kapitale që ishin realizuar në çdo cep të territorit të Komunës kishin filluar befasishëm dhe pa paralajmërim fare si rezultat i neglizhimit dhe mos-ekzistencës fare të përfshirjes së publikut dhe palëve tjera të interest që është ligjërisht e obligueshme gjatë procesit të përzgjedhjes dhe planifikimit të projkteve të tilla. Për më tepër, çka ishte shumë dëshpëruese, “ftohja” e befasishme kishte të bëjë me faktin e fillimit të realizimit të projektit për ndërtimin e çerdhes në Kaçanik i cili po bëhej në lokacionin e njëjtë ku vetëm 2-3 vite më parë ishin investuar 82.099 Euro nga EU-Beautiful Kosovo (Kosova e Bukur) dhe 3.670 Euro nga Komuna e Kaçanikut. Projekti ishte implementuar nga IOM-i. Në të vërtetë, lokacioni ka qenë dhe është pjesë e oborrit të shkollës fillore/të mesme të ulët “Emin Duraku” në Kaçanik (shkollë me rreth 800 nxënës). Projekti i EU-Beautiful Kosovo kishte përmirësuar hapësirat jugore të shkollës duke ofruar fushë të rregulluar loje për nxënësit si dhe sipërfaqe për reakreacion dhe socializim. Hapësirat tjera edhe ashtu të pakëta të këtij institucioni edukativ janë pjesërisht të rregulluara. Më problematik në këtë mes është fakti se objekti shkollor është shumë i vjetër (i ndërtuar gjatë viteve të 50-ta të shekullit të kaluar) dhe investimet renovuese dhe mirëmbajtja kanë dështuar që nga 1999 duke rezultuar me një objekt që nuk ofron as kushtet minimale për mësim dhe me një hapësirë të jashtme gjithashtu të dëmtuar seriozisht duke përfshirë edhe produktet e investimit të EU-Beautiful Kosova. Për momentin, në lokacionin në fjalë ështe demoluar rrethoja e fushës sportive nga qytetarë të pandërgjegjshëm dhe nga mungesa totale e mirëmbajtjes nga organet e duhura, si dhë janë hequr krejtësisht mbetjet e rrethojës nga kompania implementuese e çerdhes së re që do të ndërtohet. Fushat sportive dhe hapësirat e tjera të shtruara (asfalt/pllaka betoni) në lokacionin në fjalë janë ende të padëmtuara por pritet të demolohen si pjesë e projektit të ri.
Në mungesë të informacionit zyrtar, Qarshia në Kaçanik, që tanimë ekziston vetëm si lokacion pa ndonjë objekt të trashëguar, gumëzhin si gjithmonë nga thashethëmet. Në lidhje me rastin përmendet se objekti i çerdhes ekzistuese, pak metra larg kësaj që do të ndërtohet, do të demolohet dhe së bashku me demolimin e disa objekteve të përkohshme biznesei të ndërtuara në pronë komunale, do të lirohet hapësirë e mjaftueshme për ndërtimin e një objekti shumëkatësh banimi me biznes në përdhesë. Në një kontekst zhvillimor normal të një qeveri lokale me performancë mesatare bazuar në legjislacionin në fuqi, këto fjalë do të mbesnin në nivelin e vërtetë të thashethëmave. Por në kontekstin e Komunës së Kaçanikut, duke ditur veprimet e ngjashme të qeverisë lokale në të kaluarën, është afërmendsh të ndodhë diçka e tillë. Për të ilustruar se gjëra të ngjashme (plus edhe më të këqija) si këto kanë ndodhur edhe më parë, do të përmendim disa fakte: lejimi i ndërtimit të objektit shumëkatësh banues/biznesi ngjitur xhamisë dhe qendrës mesjetare i cili në atë kohë ishte në kundërshtim me planet e aprovuara komunale dhe i cili e ka dëmtuar më së shumti në kontekst zhvillimor, funksional dhe estetik Kaçanikun që nga koha e luftës së dytë botërore; mbjellja e palmave përgjatë bulevardit të qytetit pa kurrfarë procesi të konsultimit publik që kishte për qëllim humbjen e identitetit lokal dhe që e bëri Kaçanikun objekt talljeje nga të tjerët; rregullimi i parkut të qytetit pa kurrëfarë ndjenje, kreativiteti dhe shije për ta bërë qytetin funksional dhe të bukur; demolimi i qarshisë pa kurrfarë konsultimi publik; dhe rasti i abuzimit me pronë publike kur një grupi të caktuar qytetarësh, pa ndonjë proces konkurimi, u jepet prona publike për ndërtim (rasti i ndërtesës shumëkatëshe të banimit/biznesit në Kaçanik në mes të Gjykatës Administrative dhe QKMF-së).
Bazuar në shembujt e përmendur më lart, është me të vërtetë për tu shqetësuar vendimi i qeverisë lokale në lidhje me projektin e ndërtimit të çerdhes dhe mënyrën se si ata i menaxhojnë lekët nga taksat tona. Janë arsyet në vijim të cilat na shtyjnë të gjithë neve qytetarëve dhe OJQ-ve që ta kundërshtojmë këtë hap të qeverisë lokale:
- Ndërtimi i një çerdhe dhe demolimi i një tjetre është vend-numëro. Të gjithëve na e kujton rastin kur u demolua stadioni i qytetit për nevoja të palestrës para 4-5 viteve dhe për momentin nuk kemi fare palestër, kurse stadioni me kushte më të dobëta se ai ekzistuesi u ndërtua tani vonë duke bërë që KF Lepenci të bie një kategori më poshtë. Në këtë rast, shpenzohen mjete dhe nuk arrihet asgjë përtej asaj që ekziston. Edhe objekti i çerdhes së vjetër ka patur shumë renovime gjatë kohës dhe në këtë rast ato mundë të quhen më të suksesshme sepse gjendja e saj është shumë më e mirë karasuar me objektin e shkollës së përmendur më lart. Në rast demolimi të gjitha këto investime to të shkonin dëm. Në raste të caktuara, veprimi i demolimit-ndërtimit mundë të ishte progresiv, por së pari do të bëheshin analiza të thukta të kostos-përfitimit dhe rezultatet do të bëheshin publike, qofshin pozitive apo negative;
- Ndërtimi i çerdhes në lokacionin ku donatorët e jashtëm (EU-Beautiful Kosova) dhe qytetarët e Kaçanikut kanë investuar lekët e tyre është veprim i pamatur, joprofesional dhe non-sens. Kjo së pari tregon pamaturi dhe mungesë llogaridhënie sepse në kushte normale për secilin zhvillim duhet raportuar dikujt (qytetarëve dhe qeverisë qendrore) dhe ai raport të krahasohet me raportet e mëhershme që në këtë rast do të ishin kontradiktore me njëri tjetrin. E dyta, tregon mungesë serioziteti dhe profesionalizmi sepse një institucion qeveritar duhet të ketë një strategji zhvillimore e cila tregon qartë se zhvillimet nuk duhet të jenë kontradiktore me njëra tjetrën. Në këtë rast mungon strategjia, nuk konsultohet ajo apo ndodhin të dyja përnjëherësh. E treta, është jashtë çdo logjike të kostos-përfitimit investimi dhe pas disa viteve demolimi i atij investimi. Asnjë person apo organizatë normale nuk do ta bëntë një gjë të tillë, përveçse në rastet kur do të kishte implikime tjera të ulëta. Të gjitha këto rezultojnë në veprime nënçmuese ndaj qytetarëlve dhe donatorëve të cilët humbasin besimin ndaj qeverisë lokale. Në të dyja rastet pason një shkëputje e palëve ndaj proceseve komunale duke bërë që qytetarët të distancohen me veprimet e tyre, përderisa donatorët të largohen me vite nga Kaçaniku sikur që ka ndodhur në të kaluarën pas veprimeve të ngjashme të qeverisë lokale;
Zvogëlimi i parcelës edhe ashtu të vogël të shkollës fillore/ të mesme të ulët në Kaçanik eshtë gjithashtu vendim jo profesional dhe i pa planifikuar mirë. Parcela e shkollës duhet të jetë e mjaftueshme për zhvillimet e së ardhmes kur të ndërtohet një shkollë e re me të gjitha hapësirat e brendshme (duke përfshirë palestrën) dhe të jashtme të rregulluara dhe sipas standardeve. Nëse ajo parcelë nuk mjafton, duhet përpjekur në mënyra të ndryshme të rritet ajo. Duhet përmendur se Komuna e Kaçanikut, bazuar në legjislacionin në fuqi, pati mundësi që me mjete të ndryshme të sigurojë hapësirë shtesë për parcelën e shkollës fillore (ish sipërfaqen e Agjencionit të Pylltarisë) por nuk pati vullnet për një gjë të tillë. Për më tepër, pa kurrëfarë arsye logjike, tani dëshiron që ta zvogëlojë atë.
- Shfrytëzimi i planifikuar i pronës publike (lokacioni i çerdhes ekzistuese) për objekt banimi/ biznesi privat është një veprim regresiv, bën referencë në abuzimet e së kaluarës me pronë publike dhe dëmton interesat e përgjithshme. Edhe ashtu, qeveria lokale, në çdo rast e thekson faktin që në Kaçanik ka pak prona komunale. Tani, pse duhet ti bëjmë private ato prona kur qytetarët kanë nevojë për hapësira rekreative-sportive, për shërbime sociale, për socializim dhe natyrisht hapësira të gjelbra. Në realitet, rastet në Kosovë por edhe vendet tjera, tregojnë se në shumicën e rasteve janë shfrytëzuar suksesshëm pronat private për objekte shumëkatëshe banimi/biznesi. Vetëm se qeveria lokale duhet të ketë vullnet pozitiv dhe të dijë se si të udhëheqë dhe menaxhojë këtë zhvillim. Në rastin tonë qeverisë lokale i mungojnë të 2 nga këto aspekte. Duhet nisur nga parimi që nëse nuk mundë ta zhvillosh, të paktën mos shkakto dëme që edhe gjeneratat pas nesh ti vuajnë ato. Ne realitet, për nevoja të objekteve publike siç është çerdhja, qeveria lokale duhet ta kishte planifikuar tashmë lokacionin dhe jo të merrte një vendim ad-hoc. Duhet përmendur se në rastin e gjetjes së lokacionit për objekt banimi shumëkatësh (objekti në mes të Gjykatës Themelore dhe QKMF-së), gjetjes së lokacionit për ndërtesën e banimit social, etj; qeveria lokale performoi shumë mirë duke e kryer punën e vet në kohë.
Si përfundim, duke marrë për bazë atë që u tha më lart rreth ndërtimit të çerdhes së re që në kontekstin në fjalë vjen në paketë së bashku me demolimin e investimeve të mëparshme nga donatorët dhe zvogëlimin e parcelës së objektit të vjetër të shkollës fillore në Kaçanik, kërkojmë nga qytetarët e Kaçanikut që të mos e aprovojmë me heshtje por ta kundërshtojnë në çdo formë të mundshme jo profesionalizmin, realizimin e projekteve publike pa kurrëfarë planifikimi, abuzimin potencial me pronë publike dhe jo llogaridhënien në mënyrën se si shpenzohen paratë publik. Përveç këtyre, Organizata Gjethi me njohurinë e fushës që e ka vlerëson se realizimi i këtij projekti është shumë kontradiktor dhe nuk ka për qëllim që të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të Komunës. Përkundrazi ky projekt ka intenca regresiste duke bërë që të humben hapësirat sportive dhe sociale tashmë të rregulluara, humbet prona publike; duke ia bërë të mangët vetes pa arsye shancën për zhvillimin e duhur të shërbimit social arsimor si dhe duke humbur donatorët e mundshëm me anë të përçmimit të punës së tyre në vendin tonë.
Gjatë diskutimeve që patëm brenda Organizatës Gjethi në lidhje me rastin në fjalë, gjithashtu u përmendën edhe raste të ngjashme që kanë të bëjnë me realizimin e pa planifikuar dhe jo profesional të projekteve kapitale të fushës së arsimit. Ka edhe shumë projekte që u realizuan pa planifikuar duke bërë që të mos arriheshin qëllimet afatgjata edhe ne fushat tjera, por në vijim janë dhënë vetëm ato të fushës së arsimit:
- Në vitin 2000 Komuna e Kaçanikut miratuar ndërtimin e shkollës së djegur në fshatin Sllatinë. Shkolla ishte ndërtuar me financim nga familja e Ambasadorit Wolfgang Ischinger përmes misionit humanitar të Cap Anamur me në krye Rupert Neudeck. Qytetarët e Sllatinës, në shenje falenderimi, kishin emërtuar shkollën e tyre me emrin e djalit të ndjerë të Ambasadorit “Florian Ischinger”. Më vonë, Ambasadori Ischinger dhe GIZ-i gjerman kanë fiancuar edhe më tej përmirësime në shkollën e njëjtë dhe shkollën amë në Doganaj. Deri këtu, çdo gjë është në rregull. Mirëpo, sipas informacioneve, kjo shkollë tanimë ka më pak se 10 nxënës për arsye të migrimit të popullatës së atyshme në vendet tjera. Për më tepër, ajo shkollë që nga fillimi ka qenë paralele e ndarë e shkollës fillore/ mesme të ulët në Doganaj. Me këtë rast, vlerësohet se Komuna e Kaçanikut, respektivisht Drejtoria e Arsimit nuk kanë ditur të parashikojnë/ planifikojnë dhe bazuar në atë planifikim të utilizojnë/kanalizojnë investimet e huaja. Po të merrej një vendim më ndryshe dhe të renovohej/ndërtohej një shkollë më e madhe, vlerësohet se do të mundë të thithshin investime shumëherë më të mëdha që do të përfitonin një numër shumë më i madh i nxënësve dhe ato investime do të ishin më afatgjata. Dihet gjerësisht kapaciteti mbështetës shumë i madh i GIZ-it gjerman në Kosovë përmes një numri të madh programesh. Në rastin e shkollës në Sllatinë, donatori vazhdueshëm ka investuar aty por nuk ka pasur hapësirë të mjaftueshme për investime serioze dhe kjo ka rezultuar me përfitim të pjesërishme nga ta. Përveç humbjeve të investimeve, ky veprim i pa planifikuar dhe i gabuar në vendimmarrje e ka edhe anën tjetër negative. Është jo serioze, naive dhe nënçmuese që një shkollë e cila, kushtimisht thënë, për momentin nuk ka nxënës, të mbajë emrin e një anëtari të familjes Ischinger. Përveç kësaj, miqve gjerman ende nuk i’u është treguar e vërteta dhe kur ata vijnë në përvjetorin e shkollës aty dërgohen nxënës nga shkollat tjera dhe kjo lojë vazhdon edhe sot e kësaj dite. Me këtë rast duhet thënë se edhe në vitin 1999 Kaçaniku ka pasur fshatra të mëdha me potencial të dukshëm zhvillimi në të cilët që do të mundë të aplikohej skema e përshkruar më lart, me përfitime shumë të të mëdha financiare dhe me parakushte ideale për të ruajtur një aleancë të përhershme me miqtë tanë;
- Në fillim të viteve 2000, Shkolla e Mesme Profesionale në Kaçanik me mbështetjen e donatorëve u përmirësua dhe furnizua me pajisje komplete për disa nga laboratorët e saj. Sipas një vlerësimi tanimë nuk ka mbetur asgjë nga ai investim për arsye të menaxhimit dhe mirëmabjtjes jo të mirë të qeverisë lokale respektivisht organeve të menaxhimit të arsimit. Vet objekti i kësaj shkolle mbetet i papërfunduar dhe gjysmak që nga fundvitet e 80-ta e deri më sot. Në të vërtetë, mospërfundimi i punëve të vrazhda të objektit ka bërë që të dëmtohen investimet e mëhershme nga donatorët;
- Shkolla kryesore fillore e Kaçanikut ka qenë problematike për shumë vite. Përfundimisht, qeveria lokale arriti që ta fitojë një donacion nga qeveria qendrore për ndërtimin e një shkolle të re, ndërtim ky që nuk ka përfunduar formalisht edhe tani pas 4-5 viteve. Përveç faktit se punët ndërtimore nuk janë kryer si duhet duke rezultuar në prishje dhe dështime të shpeshta të pjesëve të objektit, nxënësit janë të rrezikuar vazhdimisht nga rrëshqitjet e dheut, automjeteve si pasojë e mungesës së trotuareve dhe hekurudhës në mungesë të ndonjë mbrojtje të veçantë. Me këtë rast vlerësohet se nuk është planifikuar si duhet me rastin e përzgjedhjes së lokacionit bazuar në kapacitetet zhvillimore lokale dhe nuk është bërë si duhet përgatitja e projektit zbatues për lokacionin e caktuar. Momentalisht në Kaçanik funksionojnë veçmas objekti i ri dhe ai i vjetër i shkollës. Objekti i vjetër nuk plotëson as kushtet miniale për mësimin parafillor dhe fillor edhe pse përdoret për procese të tilla arsimore. Të dy objektet i takojnë Institucionit të njëjtë. Ndarja e nxënësve nëpër objekte është bërë në fillor dhe të mesme të ulët dhe jo në bazë të rrezes gravituese e cila ishte një ndër arsyet kryesore të ndërtimit të objektit të ri;
- Paralelja e ndarë e shkollës fillore/e mesme e ulët e Dubravës në Lagjen Vata ka një objekt të ri ndërtuar së voni i cili shfrytëzohet vetëm pjesërisht për shkak të numrit të vogël të nxënësve. Edhe me këtë rast është bërë një megainvestim i panevojshëm dhe pa ndonjë planifikim të mirëfillët.
- Në vitin 2017, me donacion nga qeveria qendrore, qeveria lokale pritet të fillojë (apo ka filluar) ndërtimin e shkollave fillore në Kaçanik të Vjetër (me rreth 359 nxënës) dhe Glloboçicë (me 163 nxënës), si dhe paralelës së ndarë të shkollës fillore të fshatit Bob në Kovaçec (me më pak se 100 nxënës). Profesionistët e fushës që deshën të mbesin anonim, pohuan se objektet ekzistuese të shkollave të përzgjedhura janë shumë të vjetra. Por, si çdo projekt kapital, prioritetet përcaktohen bazuar në disa kritere dhe jo vetëm një. Sipas profesionistëve, duke marrë parasysh të gjitha kriteret (numri i nxënësve, gjendja ekzistuese e objekteve, rreziku nga zvogëlimi i nxënësëve, etj.) prioritet i duhej dhënë shkollës fillore të vjetër në Kaçanik (me rreth 800 nxënës), shkollës në Doganaj (me mbi 366 nxënës) e cila gjithashtu posedon një objekt shumë të vjetër dhe shkollës së vjetër në Kaçanik të Vjetër. Në rastin e Kaçanikut të vjetër e ardhmja duket më problematike gjatë vlerësimit sepse shkolla atje ka dy objekte dhe objekti i vjetër ka rënje në numrin e nxënësve, përderisa objekti i ri ka shtim të numrit sepse gjendet në një lokacion të përshtatshëm me troje atraktive për qytetarët që migrojnë aty nga fshatrat malore të Kaçanikut dhe Hanit të Elezit. Gjatë përzgjedhjes së lokacionit për objektin e ri të shkollës aty duhet marrë parasysh të gjitha implikimet në mënyrë që të mos dështojë investimi. Në rastin e shkollave të Glloboçicës dhe paraleles së ndarë në Kovaçec, pasi që ato janë objekte më të vogla, qeveria lokale mundë ti ndërtojë me mjete të veta ose të gjejë më lehtë donatorë për investime me shifra më të ulëta.